Në ditën nacionale të personave të pagjetur në Kosovë, EULEX-i ka përkujtuar të zhdukurit në luftën e fundit në Kosovë.
“EULEX-i është këtu për t’u ndihmuar institucioneve të Kosovës, kurse Kosova duhet të ecë përpara ndërsa merret edhe me çështjet nga e kaluara, përfshirë identifikimin e personave të pagjetur. Sa më shumë kohë që kalon, aq më i vështirë bëhet procesi i identifikimit, por derisa të jemi ne këtu, ne nuk do të dorëzohemi kurrë,” ka thënë shefja e Misionit EULEX Alexandra Papadopoulou.
Papadoulou ka thënë se misioni i EULEX-it është zbulimi i personave të pa gjetur edhe pse është një proces shumë i ndjeshëm.
“Zbulimi i fatit të rreth 1665 personave që ende nuk janë gjetur vazhdon të jetë prioritet për EULEX-in. Ndonëse procesi i identifikimit është i ndjeshëm, i ndërlikuar dhe kërkon kohë, është shumë me rëndësi që ai të vazhdojë me qëllim të gjetjes së përgjigjeve për vendndodhjen e të pagjeturve.
“Familjet kanë të drejtë që të dinë, kurse identifikimi i saktë do të sjell respektin dhe përmbylljen për ata që i lanë pas,” ka thënë Papadopoulou, shkruan Insajderi.
EULEX ka bërë thirrje të gjithë familjarëve të personave të pagjetur të bashkëpunojnë me autoritet.
“Me këtë rast EULEX-i i fton ato familje që deri më tash kanë hezituar, që të bashkëpunojnë me autoritetet, si për shembull duke i dhënë mostrat e gjakut për analiza të ADN-së, që në këtë fazë është shumë e rëndësishme për identifikim”, thuhet në komunikatën për media.
Sipas EULEXIT “që prej fillimit të misionit në dhjetor të vitit 2008, mbetjet mortore të 494 viktimave u janë kthyer familjeve të tyre. Ky është rezultat i punës intensive në teren, ku janë realizuar mbi 566 operacione në teren dhe janë analizuar rreth 2196 mostra të ADN-së”.