Loading…

‘EURO 2024’, periudha në Stoke City, çka e shtyu të zgjedh Kosovën: Celina flet ekskluzivisht për ‘Gazeta Metro’

  • Nga

  • ELION NUZA

  • 24/03/2023 | 15:49

‘EURO 2024’, periudha në Stoke City, çka e shtyu të zgjedh Kosovën: Celina flet ekskluzivisht për ‘Gazeta Metro’

I lindur në Prizren, i rritur në Norvegji por asnjëherë nuk e vuri në mëdyshje se cilën kombëtare ta përfaqësojë. Ai është Bersant Celina. Mesfushori i Kosovës që ekskluzivisht për Gazeta Metro ka folur një ditë para ndeshjes së parë në ciklin kualifikues për Kampionatin Europian ‘Euro 2024’.


‘Dardanët’ nesër do të kenë përballë Izraelin, kombëtare ndaj të cilës më herët nuk kanë pasur rastin të luajnë. Njëkohësisht, izraelitët konsiderohen edhe një nga kundërshtarët direkt të Kosovës në grupin I.

Atmosfera në stadiumin ‘Bloomfield’ në Tel-Aviv pritet të jetë e jashtëzakonshme, thuhet se në ballafaqimin që do të fillojë nga ora 18:00 të gjitha biletat janë shitur.

Por, kjo siç duket nuk do t’i pengojë ‘dardanëve’ tanë. Celina thotë se sikurse ndaj Izraelit edhe ndaj Andorrës të martën në ‘Fadil Vokrri’ do të luajnë vetëm për një qëllim, fitoren.

”Ne do të luajmë për fitore në të dyja ndeshjet dhe pres rezultate të mira për ekipin tonë. Ne tashmë kemi një ekip të etabluar mirë dhe besoj që cilido lojtar që do të zbres në fushë do të jap maksimumin nga vetja,” tha ai për Gazeta Metro.

Në grupin I është edhe Zvicra, e cila nga shumëkush llogaritet favoriti kryesor për vendin e parë. Kështu nuk mendon Bersant Celina, i cili në mendje duket se ka vetëm kualifikimin historik për në ‘EURO 2024’.

”Në futboll nuk ka favorit dhe të gjithë luajmë për fitore, shumë shpesh dinë të ndodhin befasi në fushë edhe ekipi favorit mposhtet,” tha ai.

26-vjeçari për Gazeta Metro foli edhe për periudhën që po kalon te Stoke City. Atje ai u huazua gjatë afatit kalimtar të janarit nga Dijon, derisa një pjesë të stinorit e kaloi në Turqi te Kasimpasa.

Celina e filloi për mrekulli në ndeshjet e para, derisa merrte elozhe edhe nga gazetarët anglez. Megjithatë, në vazhdim gjërat ndryshuan, jo për shkak të formës së dobët të tij por problemeve shëndetësore.

”Unë isha i sëmurë dhe ekipi im fitoi me radhë disa ndeshje, më duhet të respektoj vendimin e trajnerit i cili nuk bën ndryshime në ekipin i cili arrin të fitoj ndeshjet,” tha ai.

 

Ofertat për të përfaqësuar Norvegjinë ose Shqipërinë para Kosovës siç përflitet i kishte refuzuar pa menduar dy herë.

Rreth asaj se çka e shtyu ta zgjedh vendin e tij të lindjes u përgjigj shkurt dhe qartë, teksa kërkoi që ata që po mendojnë e menduan ndryshe nga ai të mos shpallen tradhtar.

”Unë kam ardhur me zemër dhe asnjëherë nuk jam penduar që luaj për Kosovën, vendim tim të lindjes. Por, të gjithë kanë të drejt të vendosin ashtu se si dëshirojnë dhe nuk duhet të ju bëhet presion ose të shpallen tradhtar lojtarët që zgjedhin përfaqësueset e tjera,” përfundoi Bersant Celina për Gazeta Metro.

Me fanellën e Kosovës, Celina ka zhvilluar 31 ndeshje dhe ka shënuar një gol. Fantazistin kosovar që ishte pjesë e grupmoshave të Manchester City, ndër vite e kanë penalizuar dëmtimet që të arrijë në piedestalin e merituar nga kualiteti që zotëron. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë