Loading…

Europarlamentari gjerman thirrje qeverisë Kurti: Dëshmoni se keni vullnetin për reforma

  • 05/11/2021 | 12:07

Europarlamentari gjerman thirrje qeverisë Kurti: Dëshmoni se keni vullnetin për reforma

Kryetari i delegacionit të Parlamentit Evropian, Romeo Franz deklaroi sot se Kosova është në fazë të hershme të luftimit të korrupsionit dhe kjo pengon zhvillimin ekonomik të vendit, derisa apeloi te qeveria që të dëshmojë vullnetin për reforma, në mënyrë që të kthejë besimin e qytetarëve te institucionet.

Në sesionin e dytë të punës në takimin e shtatë të Komisionit parlamentar për Stabilizim-Asociim BE-Kosovë, Franz tha se përkundër ligjeve të mira që i ka Kosova, ende mungon zbatimi i tyre.

Ai u kujtoi deputetëve të Kuvendit të Kosovës se ende nuk është miratuar “Pako legjislative për luftën kundër korrupsionit” dhe “Kodi i rishikuar penal”.

“Njëra nga problemet kryesore mbetet korrupsioni, fatkeqësisht. Një sistem i tërë është i afektuar nga korrupsioni. Kjo e pengon zhvillimin ekonomik të këtij vendi. Kosova është në fazë të hershme të luftimit të korrupsionit. Në ‘Raportin e Progresit’ ka pasur përmirësime për luftimin e rasteve të mëdha dhe këtë e vlerësoj si shumë pozitive. Kjo është bërë falë prokurorëve specialë… Këta janë hapa të vegjël pasi korrupsioni në Kosovë është i përhapur gjerësisht dhe kjo na shqetëson të gjithë ne. I bëj thirrje qeverisë së re, vullneti i qartë politik është esencial për të luftuar riskun sistematik të korrupsionit në mënyrë efikase dhe për të mundësuar përgjigje të qartë ndaj akteve kriminale. Për këtë, është esenciale që të kemi institucione të fuqishme, të pavarura që nuk pranojnë ndikim politik. ‘Pako legjislative për luftën kundër korrupsionit’ dhe ‘Kodi i rishikuar penal’ nuk janë miratuar ende. Qeveria duhet ta dëshmojë vullnetin për reforma, pasi që kjo është mundësia e vetme që ata të kthejnë besimin e qytetarëve në shtetin e tyre dhe në institucionet e shtetit”, tha ai.

Ai tha se shoqëria civile në Kosovë ankohet për mungesë të profesionalizmit dhe se “Raporti i Progresit” e konfirmon këtë vlerësim, derisa ftoi për përmirësimin e sistemit gjyqësor, pasi siç tha ai, është shumë i ngadaltë.

Deputetja Arbëreshë Kryeziu – Hyseni tha se Bashkimi Evropian po përdorë standarde të dyfishta për liberalizimin e vizave për Kosovën.

“Për Kosovën po përdoren standarde të tjera, apo thënë më ndryshe, standarde të dyfishta. Nëse të gjitha këto shtete kanë fituar liberalizimin duke e pasur nivelin e korrupsionit shumë më të lartë sesa e ka Kosova sot, atëherë pse duhet të vazhdojmë të jemi të izoluar? Vlerësoj se nuk është e drejtë që pas përmbushjes së të gjitha kushteve për liberalizim, përfshirë kushtet e reja të vendosura ndaj nesh, të cilat nuk janë vendosur ndaj asnjë shteti tjetër, e sidomos pasi që KE dhe PE dhanë dritën e gjelbër për liberalizim. Kjo të sjellë në konkluzionin se Kosova nuk po trajtohet si e barabartë me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor e të mos flasim për shtetet anëtare të BE, gjithmonë sa i përket kritereve të anëtarësimit”, tha ajo.

Franz para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, tha foli edhe për mjedisin dhe energjinë e gjelbër, derisa theksoi se është shumë e rëndësishme që të rritet vetëdija e qytetarëve për mjedisin.

“E kemi edhe ndotjen e ajrit dhe të ujërave. Kemi probleme me menaxhimin e ujërave të zeza dhe nuk është duke u bërë mjaftueshëm për trajtimin e tyre. Kjo çështje duhet të zgjidhet në mënyrë të menjëhershme për të pasur ujë të pijshëm për të gjithë njerëzit e Kosovës. Janë disa rregullore, por zbatimi është i mangët. Mbeturinat përfundojnë në deponi të paligjshme në shumicën e rasteve dhe kjo mund të rregullohet përmes rregulloreve… Është shumë e rëndësishme që të rrisim vetëdijen e qytetarëve për problemet mjedisore”, tha ai.

Deputetët u pajtuan se dekarbonizimi, energjia solare dhe energjia e gjelbër duhet të jenë rruga e Kosovës.

Me këtë rast u miratua deklarata e takimit të shtatë, ndërkohë u vendos që takimi i radhës i Komisionit Parlamentar për Stabizilim-Asociim të mbahet në mars të vitit 2022, në Strasburg.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë