Loading…

“Evropianët”: As Gjermania nuk garanton liberalizimin e vizave për kosovarët

  • 30/06/2020 | 19:56

“Evropianët”: As Gjermania nuk garanton liberalizimin e vizave për kosovarët

Pas shumë vitesh pritjeje dhe zhgënjime, shumë shpresa se edhe Kosova do të ketë liberalizim vizash janë kthyer tash, kur kryesimin e BE-së po e merr Gjermania. Vlerësohet, me të drejtë sipas diplomatëve, se ky shtet, nëse e ka vullnetin, mund ta sigurojë vendimin e Këshillit të BE-së për liberalizim vizash. Tashmë janë mbushur dy vite prej kur Komisioni Evropian kishte konfirmuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha kriteret e parashtruara ndaj saj. Por, liberalizim nuk ka pasur.

Kërkesave që gjatë presidencës gjermane të BE-së të liberalizohen vizat për Kosovën i janë bashkuar edhe disa deputetë të Parlamentit Evropian dhe atë nga grupet kryesore politike, përmes një letre të cilën ua kanë dërguar kancelares gjermane, Angela Merkel dhe Ministrit të Brendshëm, Horst Seehofer.

Ata kanë kërkuar që Gjermania, e cila merr kryesimin e BE-së nga 1 korriku, të vejë në rend dite liberalizimin e vizave për Kosovën, shtetin e vetëm nga rajoni që ende nuk ka liberalizim vizash.

“Në këtë moment, Kosova është një prej shteteve të rralla evropiane, qytetarët e të cilit nuk udhëtojnë pa viza në vendet e Schengenit. Megjithatë, kjo më nuk varet nga Kosova. Ky proces për të arritur liberalizimin e vizave supozohej se do të varej nga kriteret objektive, të cilat, siç është thënë nga Komisioni Evropian, janë përmbushur në korrik të vitit 2018, saktësisht para dy vitesh. Prej atëherë, ky shtet po e pret vendimin final nga Këshilli për të liberalizuar vizat për qytetarët. Katër presidencat e mëparshme nuk janë marrë me këtë çështje. Por ne shpresojmë se lidhjet tuaja historike dhe përkushtimi ndaj fqinjësisë dhe Ballkanit Perëndimor do të përdoret për të zgjidhur këtë problem, i cili do të ketë një ndikim domethënës në jetën e qytetarëve të Kosovës”, shkruhej në këtë letër.

Nga burimet diplomatike në Bruksel dëgjohet se mund të ketë vërtetë avancim në këtë çështje gjatë presidencës gjermane, që më 1 korrik. Por në anën tjetër, një diplomat i lartë gjerman ka rikujtuar se nuk do të varet vetëm nga ky shtet, pasi për një vendim të tillë nevojitet një shumicë e kualifikuar e shteteve anëtare në Këshillin e Bashkimit Evropian, raporton KOHA.

“Ne do të shikojmë nëse ekziston një mbështetje e tillë nga vendet anëtare. Nëse po, atëherë do ta vendosim në rend të ditës liberalizimin e vizave, Nëse jo, atëherë do të vazhdojmë të punojmë prapa skenës”, ka thënë një diplomat i lartë gjerman.

Gjermania gjithsesi si prioritet kryesor do ta ketë miratimin e Kornizës Shumëvjeçare Financiare dhe të fondit për rimëkëmbjen e Evropës pas pandemisë.

Presidenca finlandeze, e pastaj ajo kroate e BE-së, kanë bërë po ashtu përpjekje që ta avancojnë këtë vendim për Kosovën, por kanë hasur në pengesa. Madje atyre u është thënë që të “mos provojnë ta vënë në rend dite”, sepse nëse refuzohet “atëherë për një kohë të gjatë nuk do të mund të vendoset në agjendë”.

Në favor të liberalizimit të vizave ishte shprehur edhe Ministria e Jashtme gjermane, e edhe ministri i Brendshëm, Seehofer.

Tash mbetet që këtë mbështetje Gjermania ta shndërrojë në veprime në Bruksel, ku prej të mërkurës ka edhe Kryesimin e Këshillit të BE-së dhe ka mundësi të vendosë tema në rendin e ditës.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë