Ismet Islami po e nxjerr prej 36 metrave kovën me ujë plot bërllok nga pusi, që e ka hapur para disa vjetësh në oborrin e tij në rrugën “Fitorja” të Podujevës.
Ai thotë se uji, me përmbajtje të gëlqeres e hekurit të tepruar, ka dalë shumë i ndotur pas analizave që i kanë bërë në Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike.
Islami thotë se ky ujë nuk pihet e nëpër çezme të tyre nuk ka ujë nga ujësjellësi.
Banorët në rrugën “Fitorja” në Podujevë kishin protestuar disa herë para komunës për problemin që kanë me ujë të pijshëm, por deri tash thonë se kërkesat e tyre nuk janë marrë parasysh.
Për zyrtarët komunalë të Podujevës, përgjegjës për t’i furnizuar këta banorë të rrugës “Fitorja” është kompania e Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.
Zëdhënësi Nazmi Elezi, thotë se përveç kësaj rruge, problem të njëjtë kanë edhe banorët e fshatit Dumnicë e Poshtme, raporton KTV.
Në Ujësjellësin Rajonal “Prishtina” kanë thënë se rruga “Fitorja” është pikë e lartë, por që do të merren me këtë problem që këta banorë të kenë ujë 24 orë.