Loading…

Faktet që dëshmojnë dështimin e qeverisë së shkarkuar të Kosovës në luftën kundër pandemisë

  • Nga

  • ADRI NURELLARI

  • 21/04/2020 | 20:07

Faktet që dëshmojnë dështimin e qeverisë së shkarkuar të Kosovës në luftën kundër pandemisë

Vetëvendosja është përpjekur që të shesi si sukses të sajën ballafaqimin me krizën e koronavirusit, kur të gjithë qytetarët e kanë parë që kjo qeveri ka marrë masa të vonuara, kaotike, të paplanifikuara, të improvizuara dhe të paligjshme. Shumë shtete svropiane (ku përfshihen vende shumë të prekura si Italia e Spanja) kanë nisur lehtësimin e masave kundër pandemisë ndërkohë që Kosova sapo ka marrë masa më të rrepta të cilat do duhej të ishin marrë që para një muaji.


Shkruan: Adri Nurellari

Shumica e vendeve evropiane e kanë kaluar tashmë pikun e përhapjes së koronavirusit dhe e kanë përkulur e sheshuar lakoren, ndërsa në Kosovë përhapja sapo ka marrë një hov të ri përpjetë. Më të qartë këtë fakt e tregon krahasimi me numrin e të infektuarve të Shqipërisë të cilin Kosova e ka kaluar në datën 20 prill kur numri shkoi 584 në Shqipëri dhe 598 në Kosovë. Këtu duhet theksuar që Shqipëria e ka nisur epideminë 5 ditë më herët, është shumë më e lidhur me Italinë dhe ka popullsi më të madhe se Kosova.

Dështimi  i parë ishte padyshim vonesa në marrjen e masave të rrepta që para një muaji. Masat e rrepta në Shqipëri e Maqedoni të Veriut filluan në datën 10 mars, ndërsa në Serbi u vendos gjendja e jashtëzakonshme në 15 mars. Po ashtu nga inati personal që kishte me presidentin, kryeministri Kurti refuzoi të vendoste gjendjen e jashtëzakonshme duke e privuar shtetin nga instrumentet e nevojshëm për të marrë masa të rrepta e të shpejta. Kështu për shembull nëse do të kishte gjendje të jashtëzakonshme qeveria mund të blinte drejtpërdrejtë dhjetëra mijëra teste nëpër botë pa shkuar nëpër procedurat e koklavitura të prokurimit publik. Nga njëra anë kryeministri në largim  në 18 mars deklaronte se Gjendja e Jashtëzakonshme ishte e është e paarsyeshme, e palogjikshme, e panevojshme, e padobishme. Nga ana tjetër e miratoi këtë gjendje të jashtëzakonshme de-facto me një vendim të datës 23 mars që mandej u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese si shkelje.

Kryeministri i shkarkuar Kurti në seancën e mocionit në mënyrë absurde e quajti tentim puçi propozimin e Gjendjes së Jashtëzakonshme. Ky është një pretendim qesharak sepse Gjendja e Jashtëzakonshme është pjesë e ligjeve të vendit. Pra është një masë ekstreme e parashikuara nga Kushtetuta që bëhet në kushtet emergjente sikurse mund të jenë sulmet e armatosura kundër, një fatkeqësie natyrore, një trazirë civile, një krize e rëndë financiare apo një epidemi sikurse është kjo e Covid 19.  Kjo është arsyeja pse shumë vende super-demokratike, të kërcënuara nga pandemia e koronavirusit e kishin shpallur tashmë Gjendjen e Jashtëzakonshme. Deri më datën 25 mars, kur kjo qeveri u rrëzua me 2/3 e votave, e kishin vendosur gjendjen e jashtëzakonshme tashmë 15 shtete të Bashkimit Evropiane. Po ashtu edhe 10 shtete të tjera evropiane jo-anëtare si Zvicra apo edhe fqinjët e Kosovës, si Shqipëria, Maqedonia e Veriut e Serbia. Kuptohet që është gënjeshtër foshnjarake të pretendohet se këto vende kanë bërë puç shteti duke shpallur Gjendjen e Jashtëzakonshme.

Provën më të mirë të paaftësisë me të cilën kjo qeveri e ka përballur pandeminë e jep vendimi i orareve të qarkullimit të cilin kanë ndryshuar disa herë në pak ditë gjë që tregon se punojnë pa plan. Fillimisht qeveria mori vendim që të ndalej puna e bareve e lokaleve në orën 23 të mbrëmjës sikur koronavirusi të flinte gjatë ditës e të kishte efekt vetëm natën . Po ashtu për një farë kohe e  kufizoi qarkullimin e qytetarëve në pak orë të mëngjesit, duke i rrezikuar edhe më shumë qytetarët , sepse i detyroi ata të tubohen, pa respektuar distancën sociale, për të marrë shërbime publike shumë të nevojshme për ta dhe familjet e tyre. Të gjithë i panë vetë qytetarët të tubuar për të marrë asistencë sociale, për të marrë shërbime në postë, banka etj. Mandej u morr sërish një vendim i rreptë me orare specifike në bazë të shifrës së fundit të numrit personal që e ka hutuar e ngatërruar akoma më shumë qytetarin. Këtë vendim u desh që ta ndronin një ditë më pas, jo vetëm se kishin bërë gabime bazike në tekst por edhe u desh ti bënin me ndërrime oraret sepse fillimisht kishin harruar që shifrat e larta lejoheshin që të qarkullonin vetëm në mbremje kur ska asnjë zyrë e dyqan hapur. Për mos të folur mandej gafën e përfshirjes në vendim si veprimtari ekonomike të lejuara të mbarështimit të gamileve e deveve apo prodhimin e anijeve kozmike e frutave tropikalë.

Po ashtu një ndër dështimet kryesore të deritanishme të qeversë në ikje të Kosovës në luftën kundër koronavirusit është padyshim niveli tepër i ulët i testimit.  Përveç distancës sociale dhe higjenës, një ndër rekomandimet kryesore të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), për të luftuar pandeminë e koronavirusit është organizimi i sa më shumë testeve. Shtetet që janë treguar të suksesshme në  pengimin e përhapjes së koronavirusit kanë demonstruar se testet janë çelës i suksessit kundër pandemisë. Testimi masiv si forma e vetme për të ndalur zinxhirin e transmetimit të përhapjes së COVID-19 duke shkurtuar kohën e karantinës dhe ulur koston njerëzore por edhe ekonomike të pandemisë. Mirëpo Kosova është ende në fund të vendeve të Evropës për sa i përket numrit të testeve që bëhen. Madje për të mbuluar këtë fakt kemi parë qeverinë në ikje që edhe të mashtrojë haptazi opinionin publik si dhe të pranojnë lëmoshën e dhënë nga Serbia të 1000 testeve duke i dhënë mundësi Vuçiçit që të dali si heroi i ditës nëpër gjithë mediat ndërkombëtare.  Për të kuptuar nivelin të Kosovës mjafton të shikohet sa teste bëjnë vendet e tjera. Deri dje Serbia ka bërë 45.355 apo 6.5 për 1 mijë banorë, Maqedonia e Veriut ka bërë 12 133 teste  ose 6 për 1 mijë banorë ndërsa Kosova 5.009 ose  2.7 për 1 mijë banorë. Vendet e zhvilluara mandej janë të një tjetër kategorie duke pasur deri më datën 20 prill shifra si : Islanda 126 për 1000; Luksemburgu 95.6 për 1000;  Estonia 31 për 1000, Zvicra 25.8 për 1000, Italia 23.6  e kështu me

Papërgjegjshmëria dhe paaftësia e qeverisë Kurti për të përballur me dëmet e pandemisë korona virus demonstrohet gjithashtu nga mungesa e tejzgjatur një pakoje ekonomike për të shpëtuar ekonominë nga kolapsi. Buxheti i qeverisë Kurti u miratua në nje seancë të turpshme klandestine, mu në fillim të epidemisë së koronavirusit në Kosovë duke përjashtuar mundësinë që opozita të jepte këto sugjerime.  Ndërkohë që e gjithë bota është e ngritur në këmbë kundër pandemisë buxheti i qeverisë Kurti nuk kishte parashikuar asnjë fond për të përballur këtë sfidë të madhe. Madje në javët e para të epidemisë, ministrja e kësaj qeverie në ikje Hajdari, tha në mënyrë të paturpshme se qeveria kosovare nuk do ndërmarrë asnë veprim sepse “nuk e ka sjellë kjo qeveri koronavirusin”.

U desh presioni i opozitës dhe odave të biznesit që kjo qeveri të kujtohet e të merrte një pako emergjente që u miratuar me vendim ministri në 3 prill. Vendet fqinje i nisën këto masa ekonomike shumë më herët, konkretisht  Maqedonia e Veriut në 10 mars, Serbia në 12 mars, Mali i Zi e Shqipëria në 19 mars. Këtu duhet theksuar se u bë një tjetër shkelje kushtetuese përderisa të drejtën për të miratuar ndryshimet e buxhetit e ka Kuvendi i Kosovës e jo ekzekutivi.

Këtu duhet shtuar si abuzim edhe  mashtrimi që qeveritarët i kanë bërë qytetarëve dhe diasporës duke thënë se vendi ka ngelur pa rezerva shtetërore prandaj nevojiteshin donacionet e diasporës. Përveçse është një përpjekje e pandershme për të vendosur panik, kjo deklaratë është edhe qesharake sepse tregon që qeveritarët e rinj tashmë të dëbuar, nuk e njohin fare shtetin dhe ligjet e këtij vendi. Një gjë janë llogaritë  e qeverisë dhe krejt tjetër gjë rezervat shtetërore, dallimi është si nata me ditën. Në fund të vitit 2019, në llogaritë e qeverisë së Kosovës ka pasur mbi 450 milionë euro dhe një stabilitet të jashtëzakonshëm makro-financiar si asnjë vend tjetër në rajon. Nga ana tjetër rezervat e mbaruara që përdoren prej qeverisë për raste emergjente apo shpenzime të paparashikuara janë diku tek 8 milionë euro.

Përpos këtyre, papërgjegjshmëria dhe paaftësia e qeverisë u tregua që në ditëët e para të pandemisë edhe për çështjen e ri-atdhesimit ku iu ndalua shtetasve të Kosovës që të ktheheshin në vendlindje gjë që është një shkelje ligjore. Madje i turpshëm ishte vendimi i datës 17 mars  për të  ndaluar një autobus me udhëtarë nga Italia për të hyrë në Kosovë. Kushtetuta e Kosovës në Nenin 35 për Lirinë e Lëvizjes thotë se “Shtetasve të Republikës së Kosovës nuk do t’u ndalohet hyrja në Republikën e Kosovës.” Qeveria mund t’i fuste në karantinë këta shtetas por kurrsesi nuk mund t’i privonte nga e drejta për t;u kthyer në atdhe. Vetëm pas ankesave të shumta të qytetarëve dhe presioneve të opozitës, u vetëdijësua qeveria për përgjegjësinë që kishte për riatdhesimin e shtetasve dhe filloi të merrte masa. Mirëpo ende sot ato masa të vonuara janë shumë të kufizuara dhe mbi 2000 shtetas kosovarë gjenden rrugëve të botës në pamundësi për t’u kthyer në atdhe. Qeveria në ikje po justifikohet se kinse nuk ka kapacitete për karantinim e prandaj po i lë shtetasit e saj në të katër rrugët, larg të dashurve të tyre pa para, me siguracione e viza që po skadohen.

Më e pakta që mund të bënte kjo qeveri do të ishte të vepronte sikurse kanë bërë vendet e tjera, që kanë pajtuar hotelet e mëdha të vendit (të cilët ashtu kështu janë të ndalur) dhe i kanë shndërruar përkohësisht karantinë. Madje në këtë përpjekje mund të krijohet një bashkëpunim me Shqipërinë e cila tashmë e ka një flotë ajrore gjysëm-shtetërore të Air-Albania në përdorim për këtë qëllim.

Këto janë provat kryesore të dështimit të qeverisë së shkarkuar Kurti në luftën kundër koronavirusit.  Mbase është e vërtetë që për çdo qeveri, edhe ato të vendeve më të zhvilluara e të suksesshme të botës, ka hapësirë për t’u treguar perfeksionist e për të pretenduar se mund të kishin bërë më shumë sesa kanë bërë. Mirëpo ky i Kosovës nuk është rast pretendimesh të ekzagjeruara e jo realiste.  Në rastin e qeverisë në ikje të Kosovës provat janë të qarta se ka bërë kundër pandemisë shumë më pak sesa ka pasur mundësi të bëj. Gjithashtu ka boll dëshmi për të thënë se ato masa që marrë kanë qenë shumë të vona e të kufizuara e të ndërmarra vetëm prej presionit nga opozita apo grupet e interesit e jo prej aftësisë e largpamësisë së saj.

(Autori është publicist i njohur në Kosovë dhe Shqipëri, opinioni i tij pasqyron qëndrimet e tija personale)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë