Loading…

Familja Dehari kërkon dorëheqjen e dy ministrave

  • 22/11/2016 | 11:44

Familja Dehari kërkon dorëheqjen e dy ministrave

Avni dhe Xhemile Dehari, prindërit e Astrit Deharit, përmes një deklarate dërguar mediave kanë kërkuar dorëheqjen e dy ministrave të Qeverisë së Kosovës, asaj të Drejtësisë Dhurata Hoxha dhe atë të Punëve të Brendshme Skënder Hyseni.

Kjo deklaratë vije pas një kërkese që ka bërë ministrja Hoxha për një hetim ndërkombëtar rreth vdekjes së Astritit, djalit të tyre, transmeton gazetametro.net.

Për kërkesën e ministres Hoxha, prindërit Avni dhe Xhemile Dehari, thonë se është pranim i saj për papërgjegjësinë dhe për paaftësinë e kësaj qeverie dhe të institucioneve shtetërore për ta zbardhur rastin e zbuluar shkaktarin e vdekjes së Astritit.

Deklarata e plotë:

Nga mediet mësuam se Ministrja e Drejtësisë, znj.Dhurata Hoxha, i është drejtuar ambasadorit britanik z.Ruairi O’Connell, me kërkesë për një hetim të pavarur të vdekjes së djalit tonë Astritit, me arsyetimin se pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime sa u përket integritetit dhe paanësisë së procesit hetues.

Së pari, ministrja Hoxha nuk u mor me kërkesën tonë si familje për hetim të pavarur, por vetë ajo bëri kërkesë. Pra, nuk është se ajo po bëhej gati të jepte leje për ne, por e inicoi kërkesën pa kurrfarë konsultimi me ne. Së dyti, nuk është se vetëm pjesë të caktuara të opinionit publik kanë shprehur dyshime për hetimin e deritanishëm, por të gjithë qytetarët e panë publikisht deklaratën e rrejshme të komandantit të policisë nga Prizreni, z. Nexhmi Krasniqi, për shkakun e vdekjes së Astritit, rrjedhjen e provave në televizione publike si dhe paragjykimin e kryeprokurorit Sylë Hoxha për shkaktarin e vdekjes së Astritit pa u kryer hetimet.

Kërkesa e ministres së Drejtësisë znj. Dhurata Hoxha është pranim i saj për papërgjegjësinë dhe për paaftësinë e kësaj qeverie dhe të institucioneve shtetërore për ta zbardhur rastin e zbuluar shkaktarin e vdekjes së djalit tonë. Kjo kërkesë do të kishte kuptim vetëm nëse njëkohësisht znj. Dhurata Hoxha dhe kolegu i saj, ministri i Punëve të Brendshme, z. Skënder Hyseni, japin dorëheqje menjëherë. Paralelisht me këtë duhet të ndërpriten hetimet aktuale që po i udhëheqin prokurorët Metush Biraj e Sylë Hoxha. Nga publikimet e kohëve të fundit morëm vesh se këta dy prokurorë i lidh me konflikt interesi vëllai i kryeprokurorit, z. Elez Hoxha, i dënuar me katër vjet burg për korrupsionit.

Pa dorëheqje të këtyre dy ministrave dhe pa ndërprerjen e hetimeve aktuale ne si familje Dehari nuk pajtohemi për hetime ndërkombëtare, përkundër vlerësimit të lartë që kemi dhe reputacionit të lartë që ka Scotland Yard, përfundon deklarata e Avni dhe Xhemile Dehari, prindërve të Astrit Deharit, që vdiq në Burgun e Prizrenit./gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë