“Fast and Furious 9” bëhet kampioni i ri i arkave filmike të Amerikës Veriore.
Vazhdimi i nëntë të serinë e filmave të njohur aksion i cili me arkëtimin e 127 milionë dollarëve nëpër kinematë ndërkombëtare, ishte bërë projekti me debutimin më të mirë prej se koronavirusi e goditi rëndë industrinë e filmit, tani e ka shënuar edhe hapjen më të mirë në Amerikë, me 70 milionë dollarë të arkëtuara në javën e parë të shfaqjes dhe kështu pozicionohet në vendin e parë të kësaj liste.
Në filmin e ri, Dominic Toretto dhe grupi i tij i bashkojnë forcat për ta luftuar vrasësin më të aftë dhe ngasësin më të talentuar të veturave që e kanë takuar ndonjëherë, e që në fakt është vëllai i Domit. Në rolet kryesore luajnë aktorë të njohur të hollywoodit, si Vin Diesel, Michelle Rodriguez, Tyrese Gibson, Chris “Ludacris” Bridges, John Cena, Jordana Breëster, Nathalie Emmanuel, Sung Kang, Michael Rooker, Helen Mirren, Kurt Russell dhe Charlize Theron.
Justin Lin i cili në të kaluarën e ka bërë regjinë e 4 vazhdimeve të këtij projekti, “The Fast and the Furious: Tokyo Drift”, “Fast & Furious”, “Fast Five” dhe “Fast & Furious 6”, rikthehet në rolin e regjisorit për të pestën herë. Në një intervistë të fundit ai kishte deklaruar se ky është vazhdimi më i mirë në serinë e filmave ikonik aksion.
Në pozitë e dytë këtë javë e gjejmë horrorin e njohur tashmë për publikun, “A Quiet Place: Part Two”, falë 6.2 milionë dollarëve të fituara të cilat i shtohen shumës së arkëtuar deri më tani, që e kap shifrën prej 136 milionë dollarëve.
Vazhdimi i dytë i filmit shumë të vlerësuar horror, në të cilin rolin protagonist e luan aktorja britanike, Emily Blunt, debutoi në kinematë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës më 28 maj, pas shtyrjes së datave të lansimit disa herë si pasojë e COVID-19.
Brenda tri ditëve të para të shfaqjes nëpër kinema arriti t’i arkëtojë gjithsej 48 milionë dollarë, duke e shënuar hapjen më të mirë në Amerikë, prej fillimit të pandemisë.
“A Quiet Place Part II” vjen i realizuar me një buxhet prej 61 milionë dollarësh, shumë kjo tri herë më e madhe se ajo e filmit të parë, që e kapte shifrën prej 17 milionë dollarësh.
Filmi i mbushur me skena aksion dhe humor, “Hitman’s Wife’s Bodyguard”, e shënoi një debutim të suksesshëm në arkat filmike të Amerikës Veriore, ashtu siç ishte parashikuar nga ekspertët e filmit. Gjatë tri ditëve të para të shfaqjes nëpër kinema ky projekt i arkëtoi 11.4 milionë dollarë, kurse në javën e dytë të lansimit i arkëtoi edhe 4.9 milionë dollarë ekstra, të cilat i shtohen shumës totale prej 25 milionë dollarësh. Këtë javë, “Hitman’s Wife’s Bodyguard” renditen në pozitën e tretë të arkave filmike të Amerikës Veriore.
Me regji të Patrick Hughes, ky është vazhdimi i dytë i filmit të vitit 2017 me titull, “The Hitman’s Bodyguard”, dhe në rolet kryesore i sjell aktorët, Ryan Reynolds, Samuel L. Jackson, Salma Hayek, Frank Grillo, Richard E. Grant, Tom Hopper, Antonio Banderas dhe Morgan Freeman.
Katër vjet pas ngjarjeve të filmit të parë, truproja Michael Bryce i portretizuar në film nga Reynolds, detyrohet nga kompania ku ai punon që të pushojë ca kohë nga puna. Por pushimet e tij marrin fund në momentin kur Sonia Kincaid, gruaja e vrasësit Darius Kincaid me të cilin Bryce e ka një miqësi të komplikuar, e detyron edhe një herë që ta ndihmojë bashkëshortin e saj jeta e së cilit është sërish në rrezik. E gjithë kjo situatë sjell momente qesharake në film, por edhe shumë skena aksion.
I katërti në arkat filmike renditet filmi i përzier me animacion, “Peter Rabbit 2: The Runaway”. Ky projekt familjarë shumë i pëlqyer nga publiku, arriti të pozicionohet kaq lartë në arkat filmike falë 4.9 milionë dollarëve të fituara, e të cilat i shtohet shumës të cilën e ka arkëtuar në javën e tretë të lansimit nëpër kinema, që e kap shifrën prej 28.9 milionë dollarësh.
Filmi i rrëfen aventurat e kafshëve në një fermë, veçanërisht protagonistit Peter i cili tashmë e gëzon shoqërinë dhe dashurinë e pronarëve të fermës, Bea dhe Thomas. Por, për shkak të dëshirës së tij për të eksploruar dhe rrezikuar, Peter përfshihet në disa situata të rrezikshme për të dhe miqtë e tij.
Në filmin “Peter Rabbit 2: The Runaway”, zërat për personazhet e animuara i kanë huazuar yjet James Corden, Elizabeth Debicki, Lennie James dhe Margot Robie, kurse me role filmike vijnë aktorët Rose Byrne, Domhnall Gleeson dhe David Oyelowo.
Top-pesëshja plotësohet me filmin “Cruella”, i cili nga shitja e biletave arriti t’i arkëtojë 3.7 milionë dollarë. Brenda pesë javëve të shfaqjes nëpër kinema, projekti i studios “Disney” ka arritur t’i fitojë gjithsej 71.3 milionë dollarë.
Aktorja e njohur hollywoodiane, Emma Stone, e luan rolin e personazhit Cruella de Vil, teksa filmi e sjellë rrugëtimin e këtij karakteri të njohur nga filmat “101 Dalmatians”, drejt shndërrimit në gruan e ligë siç e njeh publiku.
Me një kastë aktorësh yje, përfshirë këtu Mark Strongun dhe Emma Thompsonin, filmi është vlerësuar si mjaft argëtues dhe njëherësh konsiderohet një projekt të cilin duhet shikuar patjetër.