Presidenti i Federatës Evropiane të Gazetarëve, Ricardo Gutierrez, i ka quajtur të turpshme sulmet e grupit #meKryeministrin ndaj gazetarëve, të cilat u përkrahën edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, pasi ky grup u rihap sërisht, shkruan Gazeta Metro.
Gutierrez ka shprehur mbështetjen e tij ndaj gazetarëve duke komentuar në një reagim në Facebook ku Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka dënuar gjuha linçuese e grupit #meKryeministrin ndaj gazetarëve.
“Mbështetje e plotë nga Federata Evropiane e Gazetarëve për AGK-në! Sa turp të përpiqesh të diskreditosh gazetarët në një mënyrë të tillë! Ky është thjesht një sulm kundër lirisë së shprehjes dhe të drejtës së qytetarëve të Kosovës për qasje në informata. E turpshme!”, ka komentuar Gutierrez në llogarinë e tij në Facebook.
AGK sot ka reaguar ndaj gjuhës linçuese ndaj gazetarëve nga grupi #meKryeministrin, në Facebook, grup ky i cili u përkrah edhe nga deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Fitore Pacolli, dhe i cili është rihapur sërisht.
“Ky grup, i cili është hapur dhe funksionon në shërbim të partisë në pushtet dhe kryeministrit, Albin Kurti, vazhdimisht ka sulmuar gazetarë të medieve të ndryshme të Kosovës. Edhe pas rihapjes, grupi ka sulmuar një pjesë të medias duke i quajtur ato të Klanit Pronto. Përkrahja publike e deputetes së Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ndaj këtij grupi dhe kësaj gjuhe të përdorur, i vë seriozisht në rrezik gazetarët, andaj është e dënueshme dhe e prapranueshme për AGK-në”, thuhet në reagimin e AGK-së të bërë sot gjatë ditës.
AGK ka ftuar Qeverinë e Kosovës dhe Lëvizjen Vetëvendosje të distancohen nga gjuha linçuese dhe të ndalojnë përkrahjen, qoftë indirekte, për sulmet ndaj gazetarëve. /gazetametro.net