Pak njerëz respektohen në Kosovë më unanimisht se Agani dhe përkujtohen me njëfarë urie si lloj i figurës që sot na mungon. Kjo sepse ka qenë tjetër kalibër njeriu, jo veç për nga intelekti dhe guximi, por edhe për nga njerëzillëku. Jo vetëm strateg operativ dhe i guximshëm, por edhe përbashkues, si dhe i përkushtuar ndaj misionit para vetëvetes.
Madhështinë e njerëzve të tillë më së miri e kupton kur i ke afër fizikisht. Disa figura publike afërsia fizike i zvogëlon duke i zhveshur nga çfarëdo mashtrimi që e prodhon media. Kurse disa të tjerë kanë aura magnetike dhe e mbushin ajrin që i rrethon me peshën e historisë.
Aganin – i cili përndryshe ka qenë djalë daje i gjyshit tim Fejzullah Canës, e me të cilin gjyshi, duke qenë jetim, është rritur bashkë, duke qenë se daja e ka rritë – mbaj në mend ta kem parë në jetë nga afër vetëm njëherë, në një episod krejt periferik, por për mua të paharrueshëm. Dimër 1998/99, unë 14 vjeç. Në katin 0 të ndërtesës së Bankës së Lubjanës (ish OSBE), po ngjitesha lart me ashensor për në kursin e anglishtes në “Cambridge School”. I dëgjova disa hapa të dikujt që po afrohej dhe e mbajta derën e ashensorit hapur. Kur çka me pa, Fehmi Agani! Sot supozoj të ketë qenë duke shkuar në takim me misionin verifikues të OSBE, në një kohë kur po shkruhej historia.
Intimiteti i ashensorit është fenomen i veçantë, dhe në prani të një figure historike, mendjes së një të fëmije si unë ato pak sekonda të ngjitjes së përbashkët iu duken si përjetësi. Natyrisht se nuk u tha asnjë fjalë, por në kujtesë gjithmonë më mbetet ajo aura rrezatuese e njeriut me peshë historike, dhe ajo fytyrë që rrezatonte mirësi.
Pak muaj më vonë Aganin kjo mirësi e shtyri që t’u dorëzohej forcave serbe për të shpëtuar civilë, dhe të vritej me urdhër politik. Pikërisht sepse profili i tij ishte më i rrezikshmi për regjimin fashist.