Me deklaratat nëpër debate televizive e postimet në Facebook, Xhemajl Hasani i Nismës Socialdemokrate është kthyer në fenomenin e këtyre zgjedhjeve. E fundit ishte ajo me veturën “modeste, Ferrari”. Ai poston vazhdimisht në rrjete sociale, ku e zë punë të kryer fitoren e tij në Podujevë dhe pretendon se i ka fituar edhe të gjitha debatet ku ka dalë.
Kandidati i Nismës Socialdemokrate për Komunën e Podujevës, Xhemajl Hasani, është i bindur së do të jetë fitues në zgjedhjet e tetorit. Duket se fushata për të është hajgare.
Ende pa u mbajtur zgjedhjet, ai e ka publikuar edhe agjendën e tij për atë ditë.
Në detaje ka planifikuar se çfarë do të bëjë të dielën e 17 tetorit pas orës 19:00 dhe ditëve të tjera, deri në marrjen e detyrës. I ka caktuar edhe minutat që do t’i kalojë me kundërkandidatët e tjerë.
Në debate thotë se po merr pjesë vetëm për t’u solidarizuar me kundërkandidatët, meqenëse programi i tij është “përqafuar” nga qytetarët e Podujevës.
Ka raste edhe kur shkon pa program në emisione.
Pavarësisht kësaj, në secilin debat e sheh veten si fitues.
I sugjeron kandidatët e tjerë që të mos japin premtime, meqenëse s’do t’iu bie të qeverisin në tetë vitet e ardhshme.
Ai nuk heziton të flas as për jetën “modeste” që bën. Mbrëmë ka treguar se ka një veturë modeste “Ferrari” që kushton 70-80 mijë euro.
Prej reperëve duket se të preferuar e ka Feron. Nga takimet me reperin duket se i kanë mbetur në mendje edhe disa fjalë të tij.
Ndryshe, zgjedhjet lokale do të mbahen më 17 tetor. “Podujeva i ka 6 mundësi për të zgjedhur, ama veç njëri bëhet kryetar”.