Komuna e Ferizajt që nga fillimi i pandemisë së koronavirusit kishte numër të madh brenda ditës me raste të reja me Covid-19, mirëpo për një kohë rastet e reja u rralluan për t’u kthyer fuqishëm përsëri në fillim të korrikut, shkruan Gazeta Metro.
Në Ferizaj deri më tani janë rezultuar 242 raste pozitive me Covid-19 ndërsa mbi 100 janë aktiv, ku në mesin e tyre ka edhe staf mjekësor dhe staf nga komuna, gjë që ka bërë që në këtë qytet të kufizohet lëvizja e qytetarëve nga ora 21:00 deri në 5:00.
Ky vendim është marrë pas rritjes së numrit me raste të reja.
Kujtojmë, që në Kosovë pas një rënieje të ndjeshme të të infektuarve në javët që shkuan, në dy javët e fundit pati rritje të numrit të personave të infektuar gati 200. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit u shënuan 195 raste të reja, që është numri më i lartë në një ditë kohët e fundit, duke vënë në dyshim kështu mundësinë e lehtësimit të masave të parapara për fazën e dytë.
Rritja e numrit të të infektuarve me Covid-19 bëri që autoritetet e shëndetësisë në Kosovë të kthejnë disa masa, sidomos në kufizimin e qyteteve me së shumti të prekur. Duke filluar nga ora 21 deri në ora 5 të mëngjesit të kufizohet lëvizja në Prishtinë, Prizren, Ferizaj e Vushtrri.
Aktualisht në Kosovë janë 1,678. raste aktive me koronavirus, 79 nga ta kanë vdekur./gazetametro.net