Ndonëse ishte paraparë me marrëveshje mes punëtorëve dhe menaxhmentit që t’u jipen pagat e shtatorit, kjo gjë nuk ka ndodhur, ani pse kanë kaluar më shumë se tre muaj.
Kompleksi metalurgjik ‘Ferronikeli’ në Drenas, në prill të vitit 2016, kishte ndaluar dhe kishte shpallur ndërprerje të planifikuar të prodhimit për shkak të problemeve teknike dhe rënies së vazhdueshme të çmimit të nikelit në tregun e metaleve, gjë që sipas tyre kishte shkaktuar humbje të konsiderueshme për kompaninë, shkruan Gazeta Metro.
Ndërsa, për të rifilluar punën menaxhmenti i Ferronikelit i kishte vënë disa kushte Qeverisë së Kosovës.
Kërkesat kryesore që ‘Ferronikel’ i kishte shtruar Qeverisë së Kosovës ishin, leja për dislokimin e rrugës dhe të hekurudhës që kalojnë përmes minierës së “Gllavicës” në Magurë të Lipjanit, pasi që është vlerësuar se në këtë pjesë nga kalojnë rruga dhe hekurudha ka rezerva të mëdha të xehes së Niklit, si dhe të ulet çmimi i energjisë elektrike.
Pas bisedimeve ndërmjet Qeverisë dhe Ferronikelit, marrëveshja ishte arritur dhe punëtorët filluan punën në fillim të tetorit.
Sipas marrëveshjes, Ferronikeli obligohej që në pagën e muajit shtator që i kishte mbetur borxh punëtorëve, të ju jepej më së largu deri në fund të vitit 2016, por një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.
Kryetari i pavarur i sinikatës së punëtorëve në Ferronikel, Fehmi Nika, i ka thënë Gazetës Metro, se kompania në fjalë, do t’i paguaj punëtorët për pjesën e mbetur të pagës së shtatorit.
Sipas tij, paga e shtatorit është vendosur që të jepet në tri pjesë, teksa thotë se pjesa e parë i është dhënë punëtorëve, ndërsa pjesa tjetër do të jepet sëshpejti.
I pyetur nga Gazeta Metro rreth kontratave të reja të punëtorëve të cilët deri me tani kanë marrë vetëm 70 për qind të pagës, Nika ka thënë se sipas marrëveshjes me menaxhmentin e Ferronikelit, çështja e kontratave do të kryhet.
‘Ferronikeli pritet që nga ky muaj të filloj me kontrata të reja që gjë nënkupton se punëtorët e kësaj ndërrmarrje do të paguhen sikur janë paguar më parë, me pagë të plotë’.
Ndryshe, për shkak se blerësi i ndërmarrjes Ferronikeli kishte përmbushur dhe tejkaluar zotimet për investime dhe punësim, bordi i Agjencisë Kosovare të Privatizimit në vitin 2009 kishte vendosur që këtë ndërmarrje ta lirojë nga monitorimi dhe raportimi i mëtutjeshëm për investime dhe punësim./gazetametro.net