Skuadra e Ballkanit përmes një njoftimi në Facebook pak minuta më parë ka komunikuar edhe agjendën e ditës së diel, ku klubi së bashku me tifozët do të festojnë titullin e parë kampion në historinë e tyre në Superligën e Kosovës, transmeton Gazeta Metro.
Me fillim nga ora 15:00 të dielën do të zhvillohet në Suharekë dueli ndërmjet Ballkanit dhe Gjilanit, por tashmë të dyja skuadrat veçse kanë arritur objektivat e tyre dhe kjo sfidë do të jetë interesante vetëm pas ndeshjes, ku suharekasit do të festojnë titullin kampion.
Në një postim në faqen zyrtare të klubit është njoftuar se pasi që të bëhet dorëzimi i trofeut, në ora 19:30 autobusi i skuadrës do të mbërrijë tek stadiumi ku së bashku me tifozët do të vazhdojnë për në sheshin e qytetit.
Ndërsa, nga ora 20:30 do të fillojë edhe koncerti në qytetin e Suharekës dhe sipas njoftimit pritet të përformojnë këngëtarë të njohur.
Kujtojmë që për skuadrën e drejtuar nga Ilir Daja do të jetë edhe hera e parë në historinë e tyre që do të luajnë në ndeshjet europiane. /gazetametro.net