Federata e Futbollit të Kosovës (FFK), ka njoftuar se Vedat Muriqi nuk është i gatshëm për tri ndeshjet e tetorit edhe pse klubi i dha atij leje për të udhëtuar në Kosovë, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një njoftimi për media FFK, ka bërë të ditur se Muriqi do të mungojë në tri ndeshjet e Kosovës, atë me Maqedoninë, Sllovenin dhe Greqinë.
Federata është shprehur se përkundër dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim.
Më poshtë njoftimi i plotë nga FFK:
6 tetor, 2020 – Përkundër insistimit të madh të Federatës së Futbollit të Kosovës, dëshirës së madhe të futbollistit dhe bashkëpunimit korrekt të klubit të Lazios, Vedat Muriqi megjithatë e ka të pamundshme të paraqitet për Kombëtaren e Kosovës në tri ndeshjet në vijim.
Futbollisti ka pasur sot testet e fundit në klubin e Lazios dhe në kokën e tij gjithçka ishte e qartë që pas këtyre testeve ai do të nisej për Kosovë.
Mirëpo, në testin e fundit u kuptua edhe njëherë definitivisht që nuk ka asnjë gjasë që ai të jetë i gatshëm qoftë për ndeshjen e së enjtes kundër Maqedonisë së Veriut, qoftë për dy ndeshjet pasuese që Kombëtarja jonë i zhvillon në kuadër të Ligës së Kombeve.
Informata që ka rrjedhur në faqen zyrtare të Lazios, se futbollisti do të jetë në grumbullim me Kombëtaren edhe pse është një gabim, e konfirmon që gjithçka ishte planifikuar që Muriqi sot të udhëtojë për Kosovë dhe të jetë me ekipin, mirëpo testet e sotme e treguan qartë se gjendja fizike nuk e lejon atë që në asnjë formë të jetë pranë bashkëlojtarëve të ekipit Kombëtar. /gazetametro.net