Filharmonia e Kosovës ka organizuar koncert në kuadër të aktiviteteve në shënimin e fushatës globale ’16 Ditë të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore’, transmeton Gazeta Metro.
Në hapje të koncertit, Kordinatorja për Zhvillim e Agjencioneve të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Ulrika Richardson tha për të pranishmit se ‘Requiemi’ është muzikë melankolike, në të njëjtën kohë me tone të ngrohta, duke shprehur kështu dhimbjen për të kaluarën duke nderuar të vdekurit dhe duke shprehur shpresë për të ardhmen.
Ndërsa, menaxheri i Filharmonisë së Kosovës, Dardan Selimaj, tha se filharmonia ka qëllim edhe përfshirjen në fushata vetëdijësuese si kjo për eliminimin e dhunës në baza gjinore.
“Në prag të shënimit të 20 vjetorit të themelimit, përveç aktivitetit artistik, filharmonia për mision ka edhe përfshirjen në fushata vetëdijesuese si kjo për eliminim e dhunës në baza gjinore”, u shpreh Selimaj.
Sipas programit u interpretua vepra vokalo-instrumentale “Requiem” nga W.A Mozart nga Kori i Filharmonisë së Kosovës dhe Orkestra Simfonike në drejtimin e dirigjentit Rafet Rudi, i cili priti edhe 70 vjetorin e lindjes në këtë koncert.
Koncerti është homazh për gratë dhe vajzat që ndërruan jetë si pasojë e krimit të dhunës seksuale gjatë konfliktit dhe thirrje për mbështetje për të mbijetuarat e dhunës seksuale që vazhdojnë të vuajnë në heshtje. /gazetametro.net