Grupi i fushatës ka deklaruar se u ka dërguar email 15 rrjeteve të mëdha të kinemave në mbarë botën, duke u kërkuar që të mos e shfaqin filmin në emër të personave që regjistrohen për të mbështetur fushatën.
Sipas aktivistëve, deri të dielën ishin kërkuar të dërgoheshin 41 mijë email-e.
Në fushatën e tyre, aktivistët e akuzojnë Baron Cohen-in se po përdor satirën si një “mbulesë për të përforcuar stereotipe raciste”.
Në një postim në X, ata shkruan:
“Ali G është një mënyrë për të qeshur me kulturën xhamajkane. Personazhi përforcon stereotipe të dëmshme mbi mënyrën se si sillet një burrë xhamajkan në shoqëri.
Ali G pi kanabis, është mizogjin dhe nuk bën asgjë me rëndësi në jetë. Ai sillet kështu sepse mendon se kjo është ajo që bën një xhamajkan.”
“Ata qeshin me Ali G. Por në të vërtetë, objektivi i shakasë janë njerëzit me ngjyrë dhe, në veçanti, xhamajkanët”, shtuan ata.

“Kjo është e dukshme edhe në disa prej filmave të Baron Cohen-it, ku një racë ose fe e caktuar bëhet objekt i ‘shakasë’.”
Në një postim në Instagram, ata shtuan:
“Komikë britanikë me ngjyrë e quajtën personazhin ‘një alibi për racizmin’ që në vitin 2000; Jeanette Winterson pyeti se çfarë e dallon atë nga grupi performues Black and White Minstrels; ndërsa organizata kazake dhe arabe dokumentuan dëmin e shkaktuar nga veprat e tij. Sony Pictures UK po e promovon filmin me sloganin: ‘He iz back. We ain’t liable’.”
Ata shtuan gjithashtu:
“Ekranet u përkasin rrjeteve të kinemave dhe vendimi për të rezervuar një film është një zgjedhje.”
Phil Clapp, drejtuesi i UK Cinema Association, deklaroi për Variety në përgjigje të kësaj fushate:
“Kinematë ekzistojnë për të angazhuar dhe argëtuar audiencën sa më të gjerë të mundshme. Ato nuk janë aty për të vepruar si censuruese apo si arbitra të shijes publike.
Prandaj, kur një film ka marrë një certifikim nga BBFC-ja [British Board of Film Classification], kinematë do të vendosin nëse do ta shfaqin apo jo, duke marrë parasysh vetëm reagimin e mundshëm të audiencës së tyre.”