Loading…

Filologu Shefqet Hoxha dekorohet me çmimin ‘Mjeshtër i Madh’

  • 02/04/2021 | 16:53

Filologu Shefqet Hoxha dekorohet me çmimin ‘Mjeshtër i Madh’

Presidenti Ilir Meta dekoroi filologun dhe intelektualin e njohur kuksian, Shefqet Hoxha me titullin “Mjeshtër i Madh” me motivacionin: “Qëmtues i thellë i traditave etnokulturore në krahinat e Kukësit. Studiues i mprehtë i tyre të botuar në dymbëdhjetë vëllime, që e pasurojnë visarin kombëtar me vlera të shquara për brezat e ardhshëm”.


Në fjalën përshëndetëse drejtuar personaliteteve të artit dhe kulturës, të pranishëm në ceremoninë solemne, presidenti Meta tha se kishte kënaqësinë e veçantë, që me rastin e 87-vjetorit të lindjes, të vlerësojë profesor Shefqet Hoxhën, të cilit i urojmë jetë të gjatë dhe krijimtari të re.

Profesor Shefqeti është doktor i shkencave filologjike, profesor i asociuar, gjuhëtar, dialektolog, muzeolog, gjurmues arkivash, udhëheqës shoqatash shkencore, studimore e kulturore, pjesëmarrës i Kongresit të Drejtshkrimit të Gjuhës Shqipe, drejtues i lëvizjes demokratike në Kukës e më pas deputet në Kuvendin e Shqipërisë, ‘Mësues i Popullit’, ‘Qytetar Nderi’ dhe personalitet i shquar i qarkut të Kukësit dhe jo vetëm.

Profesor Shefqet Hoxha, ka të botuar mbi 65 libra e disa të tjera i ka në proces, ndërsa ka botuar edhe rreth 700 artikuj shkencorë, publicistikë dhe kulturorë.

Profesor Shefqet Hoxha ka mbi 60 vite punë kërkimore e shkencore në dobi të kulturës kombëtare e albanologjisë, një shembull dhe model shkencëtari për të gjithë.

Profesor Shefqeti, ka arritur të botojë 10 volumet kapitale të etnologjisë për qarkun e Kukësit, një pasuri e rrallë shpirtërore që u shpëtua nga humbja e sigurt dhe harresa, për shkak se shumica e mbartësve të tyre, patriotët dhe pasionantët e kulturës nuk janë gjallë, si profesor Shefqet Hoxha, që ua ka kushtuar gjithë jetën e tij këtyre vlerave shpirtërore kombëtare.

“Në një Shqipëri europiane, këto vlera shpirtërore që na sjell Profesor Shefqeti, janë prova e dëshmi kulturore e historike të dorës së parë që na veçojnë dhe dëshmojnë fytyrën e shpirtin tonë shqiptar, që pohojnë identitetin tonë kombëtar për të cilin duhet të jemi gjithmonë krenar”, tha Meta.

“Të shpëtosh gjuhën dhe të folurën e para një shekulli të një krahine si Luma, Hasi, Malziu, Fani apo Malësia e Gjakovës, ta regjistrosh e botosh këtë pasuri të rrallë shpirtërore, të folurën, këngët, legjendat, doket, zakonet e traditat është një shërbim i madh për ruajtjen e shpirtit dhe identitetit të kombit tonë”, tha ai. /atsh/ GazetaMetro

Më të fundit
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë