Loading…

Finalizohet projektligji për Gjykatën Komerciale

  • 15/01/2021 | 13:09

Finalizohet projektligji për Gjykatën Komerciale

Ministria e Drejtësisë ka finalizuar të premten projektligjin për Gjykatën Komerciale, për të cilën ministri i Drejtësisë, Selim Selimi tha se do të eliminojë barrierat për bizneset.


Selimi u shpreh se ky është një lajm i mirë për qytetarët Republikës së Kosovës e në veçanti për bizneset, të cilat do të kenë një adresë ku do ët zgjidhin kontestet e tyre.

“Sot e kemi përfunduar punën për përpilimin e kodit për përpilimin rreth ligjit për themelimin e Gjykatës Komerciale. Të gjithë personat fizik që operojnë në fushën komerciale do ta kenë një adresë, me të cilën do t’i zgjidhin kontestet e tyre. Dora e padukshme që e rregullon tregun e lirë, tash e ka një dorë të dukshme të sundimit të ligjit dhe një dorë të dukshme të drejtësisë. Ky është një lajm i mirë për të gjithë qytetarët që kanë humbur kohë nëpër institucione të ndryshme për të kërkuar të drejtat e tyre biznesore”, tha ai.

Ministri Selimi tha se janë adresuar edhe vërejtjet dhe sugjerimet lidhur më këtë çështje.

E kryesuesi i grupit punues për themelimin e Gjykatës Komerciale, Florian Dushi tha se Kosova me përpjekjet e saj për zhvillim ekonomik dhe krijimin e një ekonomie të lirë të tregut ka bërë përpjekje maksimale dhe me ndihmën e faktorit ndërkombëtar ka krijuar legjislacion bashkëkohor, i cili krijon bazamentin më të rëndësishëm për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të vendit.

“Përkundër legjislacionit bashkëkohor, ne kemi akoma ngecje të konsiderueshme në krijimin e mekanizmave institucional, të cilët do të ishin më efikas në zbatimin e kërkesave ligjore në krijimin e sigurisë juridike në qarkullimin e mallrave dhe të shërbimeve si kusht për tërheqjen e investimeve të huaja dhe zhvillimit ekonomik në vendin tonë. Prandaj, duke parë nevojën për krijimin e një ambienti më të mirë të të bërit biznes, duke synuar tërheqjen e investimeve të huaja në vendin tonë, dhe duke parë pamjaftueshmërinë e kapaciteteve aktuale të departamenteve në Gjykatën themelore dhe të apelit në raport me zhvillimin e ekonomisë të vendit tonë, themelimi i Gjykatës Komerciale, një gjykatë të profilizuar, që do të trajtojë çështjet komerciale, me të drejt vlerësohet si hap i madh dhe i rëndësishëm i institucioneve tona në këtë drejtim”, tha Dushi.

Sa i përket pagesave që janë quajtur si favorizuese për gjyqtarët e kësaj gjykate, Dushi tha se kjo ndërlidhet me natyrën e kontesteve që trajtohen në këtë gjykatë.

“Sa i përket pjesë së pagesave që është trajtuar nga të tjerët si favorizuese për gjyqtarët, kjo ndërlidhet me natyrën e kontesteve që trajtohen në këtë Gjykatë, prandaj kemi menduar që ta ngrisim nivelin sadopak ët këtyre gjyqtarëve, pasi ideja ka qenë që të veprojmë diçka më të profilizuar. Prandaj, kjo është lënë që në të ardhmen në fund të fundit të vendoset nga Këshilli Gjyqësor. Por, nuk është hera e parë që bëhen pagesa favorizuese në sistemin e drejtësisë në vendin tonë. Ka pasur të tilla në Prokurorinë Speciale, në gjykata në departamente të ndryshme. Prandaj nuk duhet të merret si diçka shqetësuese”, u shpreh ai.

Projektligji për themelimin e Gjykatës Komercile është hartuar me mbështetjen e USAID-it.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë