Kandidati i Nismës për kryetar të Drenasit, Isa Xhemajlaj, ka pranuar humbjen e tij në rrethin e dytë të votimit në zgjedhjet e jashtëzakonshme të mbajtura sot në Drenas
“Kemi pritur një rezultat më të madh”, është shprehur Xhemajlaj në një konferencë për media.
Xhemajlaj ka thënë se “i tërë aparati shtetëror ishte përqendruar në këtë qytezë të vogël” për të mbështetur kandidatin e Partisë Demokratike të Kosovës, Ramiz Lladrovci.
Ai ka falënderuar banorët që, siç ka thënë ai, “pas 17 vjetësh sollën demokracinë dhe për herë të parë një parti në bastionin e saj e sollën në balotazh”.
Xhemajlaj ka thënë se nuk ka qenë e lehtë të bëhet fushatë në Drenas, dhe është ankuar për presion, kërcënime e shantazhe.
Ai është shprehur i zhgënjyer me ish-kandidatin e pavarur për kryetar të Drenasit, Xhavit Drenori, i cili i kishte ofruar mbështetje në balotazh.
“Drenori nuk e vazhdoi ndryshimin. E la në gjysmë. Votuesit e tij nuk vazhduan ndryshimin”, ka thënë Xhemajlaj.