Që nga epoka e Skënderbeut, flamuri kombëtar shqiptar, në fillim stemë e familjes Kastrioti e më pastaj simbol i unitetit, duke përfaqësuar historinë, krenarinë, kulturën dhe traditën shqiptare, na ka bërë të ndihemi të fortë me të, në çdo betejë!
Shkruan: Flamur Beqiri
Që nga kuvendi i fisnikëve Shqiptarë, të cilët u mblodhën në Lezhë, me 2 Mars të vitit 1444, në të gjitha betejat e Gjergj Kastriotit, pastaj në shumicën e kryengritjeve antiosmane e deri në shpalljen e pavarësisë, flamuri kombëtar shqiptar ishte aty.
Flamuri shqiptar në ish-Jugosllavi ka qenë i lidhur ngusht me klimën politike të asokohshme dhe në shumicën e rasteve ndalohej e shumë rrallë lejohej! Ishte përdorur gjatë luftës së dytë botërore, deri sa ishte ndaluar pas lufte deri në rënien e Rankoviqit. Në këto kushte, edhe pse i ndaluar, shqiptarët i kishin kënduar flamurit, e kanë vendosur në ballë të oxhakut nëpër oda, e kanë mbajtur në xhep e shokë, e kanë gravuar në kuti duhani, e kanë gdhendur e latuar në gurë dhe në mur e djepa të fëmijëve.
Derisa në Nëntor të vitit 1968, në Kosovë po demonstrohej për herë të parë pas luftës së dytë botërore me kërkesën që Kosova ta kishte statusin juridiko-kushtetues të republikës së shtatë në Jugosllavi, flamuri kombëtar shqiptar valonte në duart e demostruesve!
Flamuri shqiptar, në periudha të ndryshme, nën ndikime ideologjike, kishte pësuar ndryshime në pamje, me yllin e kuq, herë mbi e herë anash shqiponje, por në themel, shqiponja e zezë dhe ngjyra e kuqe mbetën të njejta! Në periudhën e luftës për liri dhe pavarsi të Kosovës, në të gjitha protestat dhe demonstratat e organizuara, flamuri shqiptar ishte në ballë ndërsa luftëtarët e lirisë betoheshin para flamurit kombëtar shqiptar!
Në perspektivë, pas lufte, me zhvillimet e reja politike, shfaqej nevoja për krijimin e një flamuri të ri për Kosovën shtet i pavarur.
Edhe pse në vitin 1992, Presidenti Dr. Ibrahim Rugova kishte publikuar Flamurin e Dardanisë, i cili në themel ishte dizajnuar me elemente shqiptare, shqiponjës së zezë dykrenare, sfondit të kuq i ishte shtuar ylli i Skënderbeut dhe baneri i bardhë simbol i plisit, ai u përbuz nga shoqatat e dala nga lufta të cilat e dogjën publikisht në rrugët e Prishtinës!!!
Në kuadër të përmbylljes së pavarësisë së Kosovës përveç konstituimit të Kushtetutës domosdoshmërisht kërkoheshin edhe simbolet e reja identifikuese, respektivisht shtetit të Kosovës i duhej flamurin e ri! Flamuri i ri i Kosovës, u shfaq publikisht për herë të parë me rastin shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, me ngjyra, verdh e kaltër, me hartën e Kosovës dhe yjet përmbi.
Flamuri Dardan vazhdon të përdoret dhe është në vulën e Presidentit të Kosovës dhe përdoret zyrtarisht nga presidenca e Kosovës!
Të gjithë ne duhet të respektojmë simbolet e reja të shtetësisë së Kosovës por, të gjithë duhet ta dinë, jemi të lidhur për shpirt e me zemër me Flamurin kombëtar Shqiptar dhe se nuk do të lejojmë tentativat për pronësi të ketij flamuri për interesa private politike nga asnjë grup politik, e as atyre të cilët me flamuj të vendosur në jakat e xhaketave të tyre i shiten opinionit si parti politike konservative shqiptare, ndërsa model të organizimit politik kanë të gjithë ata të cilët gjuhën shqipe e kanë ndaluar me dekret dhe mohojnë kombin dhe Flamurin Shqiptar.
Të gjithë shqiptarëve, urime Dita e Flamurit!