Loading…

FMN ‘shpullë’ Qeverisë për varësinë nga importet, Murati ‘fryhet’ për rritjen ekonomike

  • 07/07/2026 | 13:00

FMN ‘shpullë’ Qeverisë për varësinë nga importet, Murati ‘fryhet’ për rritjen ekonomike

Raporti i FMN-së parashikon rritje ekonomike prej rreth 4 për qind për Kosovën në vitet e ardhshme, por thekson se kjo rritje do të vijë kryesisht nga konsumi i brendshëm, remitancat e diasporës dhe investimet publike, ndërsa eksportet mbeten pika e dobët e ekonomisë, shkruan Gazeta Metro.


Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka shpërndarë një artikull të Euronews, i cili, duke iu referuar parashikimeve të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN), e rendit Kosovën ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë gjatë periudhës 2027-2031.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Murati e ka paraqitur këtë si dëshmi të performancës së ekonomisë së Kosovës, por pa përmendur se i njëjti raport shpjegon se rritja ekonomike nuk lidhet me ndonjë sukses të veçantë të politikave qeveritare, por kryesisht me konsumin e brendshëm, remitancat e diasporës dhe importet e larta.

“Euronews sot ka publikuar një artikull ku tregon se sipas FMN-së, Kosova pritet të jetë ndër top vendet me rritjen ekonomike më të shpejtë gjatë viteve të ardhshme”, ka shkruar Murati.

Megjithatë, analiza e Euronews, e bazuar në raportin e FMN-së, e shpjegon qartë se rritja ekonomike e Kosovës mbështetet në faktorë që kanë karakterizuar ekonominë e vendit prej vitesh, ndërsa njëkohësisht evidenton dobësitë strukturore që vazhdojnë ta shoqërojnë atë.

Sipas raportit, motori kryesor i rritjes do të jetë kërkesa e brendshme, e mbështetur nga konsumi i familjeve, investimet publike, remitancat dhe një fuqi punëtore relativisht e re.

FMN vlerëson se Kosova pritet të mbetet ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, me një normë mesatare prej rreth 4 për qind në vit gjatë periudhës 2027-2031, dukshëm mbi mesataren e eurozonës, e cila pritet të jetë vetëm 1.2 për qind.

Megjithatë, Fondi thekson se kjo rritje nuk mbështetet në një zgjerim të eksporteve apo të prodhimit vendas, por kryesisht në kërkesën e brendshme.

Sipas analizës, remitancat nga diaspora, kryesisht nga kosovarët që jetojnë dhe punojnë në Gjermani dhe Zvicër, vazhdojnë të luajnë një rol vendimtar në ekonomi. Paratë e dërguara nga mërgimtarët financojnë konsumin e familjeve, investimet në biznese, ndërtim dhe prona, duke mbetur një nga shtyllat kryesore të aktivitetit ekonomik në vend.

“Nxitësit e rritjes janë të veçantë. Paratë e dërguara në vendlindje nga diaspora e madhe, kryesisht në Gjermani dhe Zvicër, financojnë si konsumin ashtu edhe investimet në biznes, teksa shpenzimet publike në infrastrukturë dhe sektori bankar në rritje i shtohen kësaj përzierjeje”, thuhet në analizën e Euronews.

Raporti thekson se rritja do të mbështetet edhe nga investimet publike në infrastrukturë, zgjerimi i sektorit bankar dhe struktura relativisht e re e popullsisë së Kosovës, e cila vazhdon të jetë një avantazh krahasuar me shumë vende evropiane që përballen me plakjen e popullsisë.

FMN shton se një shtysë shtesë për ekonominë mund të vijë nga zbatimi i Planit të Ri të Rritjes së Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, i cili synon të përshpejtojë reformat dhe investimet. Sipas Fondit, zbatimi në kohë i këtij plani mund të ndikojë pozitivisht në rritjen ekonomike dhe punësim.

Por, përkundër parashikimit optimist për ritmin e rritjes, raporti ngre edhe një kritikë të qartë për modelin ekonomik të Kosovës.

“Dobësia është ana tjetër e të njëjtës medalje: rritja është e udhëhequr nga kërkesa dhe importi shumë i madh, vendi ende nuk ka ndërtuar bazë konkurruese eksporti”, thuhet në analizë.

FMN vlerëson se ekonomia e Kosovës vazhdon të mbështetet në konsum dhe mallra të importuara, ndërsa prodhimi vendas dhe eksportet nuk kanë arritur të zhvillohen në një nivel që do ta bënte rritjen më të qëndrueshme në afatgjatë.

Kosova pritet të jetë ndër ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Evropë, sfida kryesore mbetet krijimi i një ekonomie më konkurruese, me prodhim më të madh vendor dhe eksporte më të larta, në mënyrë që zhvillimi ekonomik të mos varet kryesisht nga remitancat, konsumi dhe importet./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë