Loading…

Fontanë dëshirash në vend të një programi konkret qeverisës – kjo është qeveria ‘e re’

  • Nga

  • MUHAMET H. BYTYÇI

  • 12/03/2020 | 19:54

Fontanë dëshirash në vend të një programi konkret qeverisës – kjo është qeveria ‘e re’

Qeveria e re e Kosovës me datën 5 mars 2020, publikoi planin e saj qeverisës 2020-2023, dhe kjo ndodhi rreth një muaj pasi e mori detyren dhe rreth 6 muaj pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Ky plan është korniza e asaj çka do të shohim nga qeveria e re, është pasqyra e asaj çka na pret nga Qeveria Kurti.


Shkruan: Muhamet H. Bytyçi

Kur analizohen 12 pikat e programit qeverisës dhe i krahasojmë me planin qeverisës 2017-2021, të qeverisë së kaluar, shumë pak ndryshim vërehet. I vetmi ndryshim që shihet qartë, e që nuk ka shumë rendësi është numri i faqeve; derisa programi 2017-2021 kishte 135 faqe dhe kishte më shumë detaje sektoriale,  programi 2020-2023 ka vetem 46 faqe me 12 pika, që më shumë janë dëshira dhe fatkeqsisht  mungojnë shumë detaje dhe planet konkrete.

Sigurisht që nuk do të mërremi shumë me planin e kaluar, por duhet theksuar që shume gjera nga ai plan janë edhe në plainin e qeverisë së re. Fatkeqësisht as qeveria e re nuk ka ofruar një program serioz qeverisës. Dhe njëjtë sikur qeveritë e mëhershme, edhe qeveria që drejtohet nga zoti Kurti, që në vazhdimësi është i prirur të flasë për tekst, ka sjellu disa faqe tekst sa për sy e faqe.

Ajo qe vrehet letësisht në programin e qeverisë aktuale është numri i strategjive të planifikuara të behen dhe të ndryshohen, praktikë e njohur nga çdo qeveri në Kosovë. Kur s’ke plan si të zhvillohet një gjë apo s’ke menduar paraprakisht, e rezulton me një strategji të re. Kosovës nuk i mungojnë strategjitë, e madje jo rrallë janë të bëra mirë e nga ekspertë me përvojë. Kosovës i mungon plan, vullnet politik e profesionalizëm për zbatimin e tyre, guxim politik për të ndërrmarrë rreziqe që i ka zbatimi i  atyre  strategjive, e ku hynë edhe rreziqet elektorale e implikimet të mëdha buxhetore.

Komunikimi përmes terminologjisë së përgjithshme që e paraqet Plani Qeverisës 2020-2023, përveç si përseritje në sekuenca të qeverive të shkuara, paraqet edhe zhgënjim kur dihen pritjet e mëdha që ka shoqëria Kosovare nga kjo qeveri.

“Do të shqyrtojmë, do të vlerësojmë, do të bëjmë një plan, do të bejmë një strategji, do të kordinohemi, do të punojmë…, janë terme që nuk kanë kuptim në kontekstin politik kosovar. Arsyeja është një dhe e vetme: janë gjëra që i kemi dëgjuar nga secila qeveri e pasluftës dhe diskurs politik i konsumuar.

Plan i mirëfilltë për zhvillim të Kosovës do të ishte një plan qeverisës që ka një vizion, që flet me shifra, me planifikim të afatizuar dhe me të dhëna për investime konkrete. Për punësime që priten dhe për përqinjde të ngritjes ekonomike që do të përkthehej në zhvillim e mundësi. Një plan që do na tregonte mbi standardet e synuara dhe mjetet që do të përdoren deri në atë nivel, duke mos e përjashtuar realitetin që jo rrallë t’i minon planet dhe të kthen në pikën zero.

Pra, Kosovës nuk i duhet një program qeverisës si fontanë deshirash që ka paraqitur qeveria e re, por një plan qeverisës i bazuar në realitet dhe që ka qëllime reale për të arritur.

Në planin që prezantoj qeveria e re përvec shtesave të fëmijëve dhe numrit të 7 stadiumeve regjionale të kategorisë së katërt që do të ndertohen në stadiumet ekzistuese, sipas standardeve të UEFA-së, nuk gjejmë shifra të tjera. Kur e mendon pompozitetin e para 6 muajve dhe sheh rezultatin e ketij programi, i bie që partia opozitare që ishte dje erdhi në pushtet pa një plan dhe pa të dhëna mbi atë që do të pasojë, si dhe partia e dytë që është pjesë e pushtetit dhe që ka qenë edhe në të kaluarën, nuk kanë paeaqitur diçka të vlefshme në këtë program qeverisës.

Disa nga pikat si reformat në arsim, kultura e administrata publike, janë kopje të atyre që kemi parë në programet e mëhershme, me ndonjë ndryshim kozmetik. Të thuash se do të rrisim cilësinë e arsimit e të mos i përmendësh disa standarde të reja për rekrutim e vlerësim nga ndonjë mekanizem i arrirë ndërkombëtar, i bie që s’ke thënë asgjë të re.

Qeveria e re ende nuk ka publikuar ndonjë plan të hollësishëm rreth fushës së ambientit. Deri tash ajo që kemi pa në programin qeverisës, janë vetëm disa pika si orientime programore rreth ambientit që nuk thonë shumë mbi atë që do të bejnë për një nga problemet më të mëdha që ka Republika e Kosovës dhe mbarë globi.

Në planin qeverisës nuk është adresuar ikja e njerëzve të kualifikuar të shendetësisë, apo nuk është prezantuar ndonjë politikë për mjekët dhe infermieret që po ikin nga Kosova.

E vetmja gjë që duhet mbeshtetur dhe që është e qartësuar në këtë program, është vazhdimi i rekrutimit të diplomuarve nga Skema e Profesionistëve të Rinj në administratën publike, edhe pse ky është obligim i Kosovës ndaj BE-së.

Si përfundim, ka shumë pak ndryshime mes Programit Qeverisës të viteve 2020- 2023 nga ai 2017-2021. Madje, ajo çfarë e shton zhgënjimin, është që ky program nuk ka përfshirë as shumë megapremtime të dhëna nga dy partit e koalicionit qeveriss në fushatën e zgjedhjeve të fundit.

Kur më këtë bëhen bashkë punësimet familjare, kriza në raportet ndërkombetare dhe izolimi që në start i Kosovës, zbehja e raporteve me ShBA dhe tërheqja e mbështetjeve financiare dhe investimeve serioze nga ky vend mik, situata bëhet më serioze dhe rrugëtimi drejt së ardhmës duket shumë i errët.

Kjo qeveri nuk po ia del ta sjellë në Kosovë as biznesmenin mashtrues që vepron në ShBA dhe që premtoi investim të 50 milion eurove nëse fiton Kurti gjatë fushatës elektorale, Gazmend Gjonbalaj.

Ndryshim përmbajtësor nga kjo qeveri zor të presim nga ajo pak çfarë kanë prezantuar dhe që më lart iu bë një trajtim i shkurtër. Të paktën, uroj që të ndalen keqpërdorimet e aseteve të shtetit siç bënin qeveritë e kaluara. Ose të paktën të mos bombardohemi me arsyetime banale se kur Albulena Haxhiu merr fëmijët në çerdhe me veturë zyrtare nuk është njëjtë sikur kur kjo është bërë nga zyrtarë të tjerë në të kaluarën.

(Autori është Master ne Politika Publike dhe Menaxhim. Kjo kolumne është shkruar enkas për Gazeta Metro.)

 

 

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë