Loading…

Forcat ukrainase tërhiqen nga Severodonjecku, teksa lufta hyn në muajin e katërt

  • 24/06/2022 | 09:03

Forcat ukrainase tërhiqen nga Severodonjecku, teksa lufta hyn në muajin e katërt

Pushtimi rus i Ukrainës, i cili nisi më 24 shkurt, po hyn në muajin e tij të katërt, me luftime të përqendruara tashmë në rajonin lindor të Ukrainës, në Donbas.


Këshilltari presidencial ukrainas Oleksiy Arestovych tha se luftimet në Donbas “kanë arritur një kulm të frikshëm”. Sulmet e Rusisë kanë në shënjestër qytetet fiqnje të Severodonjeckut dhe Lisiçanskut, pozicionet e fundit të mbetura nën kontrollin e forcave ukrainase në provincën e Luhanskut.

Të premten, Guvernatori rajonal, Serhiy Gaidai tha se trupat ukrainase do të “duhet të tërhiqen” nga qyteti i Severodonjeckut, që tashmë është kryesisht nën kontrollin e forcave ruse.

“Të qëndrosh në vende të shkatërruara për shumë muaj vetëm për hir të qëndrimit atje nuk ka kuptim,” tha guvernatori Serhiy Gaidai.

Sulmi i Rusisë ka çuar në një kundërpërgjigje të paprecedentë nga Perëndimi, me sanksione që synojnë sektorin financiar, energjetik dhe të turizmit rus, ndër të tjera.

Të dielën, udhëheqësit e vendeve të G7-s do të takohen në Gjermani për të formuluar më tej përgjigjen e tyre ndaj sulmeve të Rusisë. Javën e ardhshme, anëtarët e NATO-s do të takohen në Spanjë për të diskutuar sigurinë e ndërsjellë në mes të pushtimit, me Finlandën dhe Suedinë që kërkojnë t’i bashkohen aleancës.

Liderët e Bashkimit Evropian vendosën t’i jepnin Ukrainës statusin e kandidatit zyrtar për anëtarësim në bllokun prej 27-vendesh. BE-ja ka qenë kryesisht e bashkuar në mbështetjen e Ukrainës që kur Rusia pushtoi më 24 shkurt, duke miratuar sanksione ekonomike të paprecedentë kundër Moskës. Vetëm katër ditë pasi Rusia nisi luftën e saj, Ukraina aplikoi për t’u bërë anëtare e BE-së.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy përshëndeti vendimin, duke e quajtur atë “një moment unik dhe historik” në marrëdhëniet me Bashkimin Evropian. “E ardhmja e Ukrainës është në BE”, shkroi ai në Twitter.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë