Loading…

Fragmente nga romani “Endacaku Knulp”

  • 04/09/2020 | 16:29

Fragmente nga romani “Endacaku Knulp”

Nga: Herman Hesse

Në fillim të viteve nëntëdhjetë, mikut tonë, Knulpit, iu desh të qëndronte për disa javë i shtruar në një spital. Kur doli që andej, ishte mesi i shkurtit e bënte një kohë aq e keqe, saqë, pas disa ditësh endjeje, ndjeu përsëri ta zinin ethet, kësisoj ishte i detyruar të mendonte për një sistemim. Miqtë s’i kishin munguar kurrë e mund të varte shpresat në një pritje të ngrohtë gati në çdo qytezë a lagje të saj, por ishte sedërmadh, aq sa miku prej të cilit të kishte pranuar gjësendi, ndihej i nderuar.

Këtë herë i erdhi ndër mend regjësi Emil Rothfuss, nga Lachstetteni, në portën e shuluar të të cilit trokiti një natë, nën shiun që binte me gjyma dhe erën e perëndimit. Regjësi mbylli një kanat të katit të parë e bërtiti në drejtim të rrugicës së errët:

– Kush është? S’mund të prisni sa të zbardhë?

Me të dëgjuar zërin e mikut të vjetër, Knulpi u gëzua, paçka se ishte i lodhur. I erdhi ndër mend një refren që kishte sajuar vite më parë, gjatë një endjeje katërjavore së bashku me Emil Rothfussin, e filloi ta këndonte në drejtim të shtëpisë:

Endacaku i lodhur,

Shkoi në bujtinë,

I vetëm në këtë botë,

Ky shpirt që bredhërin.

Regjësi shpërtheu me forcë kanatat e u var jashtë dritares:

– Knulp, je ti apo ndonjë lugat?

– Unë jam, ia ktheu me zë të lartë Knulpi, – por, do të zbresësh nga shkallët apo do të dalësh nga dritarja?

Miku, i kënaqur, zbriti me vrap, hapi portën e shtëpisë e i përplasi në fytyrë të porsaardhurit dritën e llambës me vajguri e ky u shtrëngua të mbyllte sytë.

– Po tani eja të hyjmë, bërtiti i ngazëllyer dhe tërhoqi brenda mikun. Ka tepruar diçka nga darka, pastaj, në shtrat. Zot i madh, në këtë kohë ujqish! Të paktën çizmet a i ke të mira?

Knulpi e la të bënte pyetje e të mrekullohej, shkundi me kujdes pantanonat që i kishte përveshur dhe ngjiti në errësirë shkallët, gjithë siguri, edhe pse kishte vite që nuk kishte shkelur në atë shtëpi. Kur arritën në korridor, përballë derës së shtëpisë, qëndroi një çast, shtrëngoi nga dora regjësin, i cili po e grishte të hynte:

– Ej, i foli me një fije zëri, më thuaj pak, je martuar?

– Po, natyrisht.

– Tamam. Shiko, gruaja jote nuk më njeh, ndoshta nuk ka qejf.

Nuk dua t’ju shqetësoj.

– Çfarë shqetësimi! – qeshi Rothfussi, duke hapur dyert kanat e duke shtyrë Knulpin drejt dhomës së ndriçuar. Mbi një tryezë të madhe, të varur në tre zinxhirë, lëkundej llamba me vajguri. Në ajër flatronte një erë e lehtë duhani, që bënte për nga xhami i thyer i llambës. Atypëratyshëm formonte shtjella e humbiste tutje. Mbi tryezë ishin vendosur një gazetë e një fshikëz derri e mbushur me cigare. Nga kanapeja, përgjatë murit të tërthortë, brofi në këmbë zonja e shtëpisë, me një gjallëri të fshehtë e pak e hutuar, si ai që zgjohet në mes të një dremitjeje e nuk do që të tjerët ta shohin. Knulpi puliti qerpikët, si i verbuar nga drita e fortë, vështroi zonjën drejt në sytë e gjelbër dhe zgjati dorën, me një përkulje gjithë mirësjellje.

– Po, ajo është, tha duke qeshur mjeshtri artizan. – Dhe ky është Knulpi, miku im Knulp, e mban mend? Ai për të cilin të kam folur shpesh. Është mysafiri ynë, afërrnendsh. Do të flejë në krevatin e punëtorit, bosh është, por më parë le të kthejmë nga një gotë me sidër. Pastaj Knuipi duhet të hajë diçka, kanë tepruar pak salsiçe e mëlçi, apo jo?

Zonja doli vrik jashtë e Knulpi e ndoqi me sy.

– Është pak e trembur, – tha nën zë, por Rothfussi nuk donte ta pranonte.

– Fëmijë, nuk keni? – pyeti Knulpi. Ndërkohë ajo ishte kthyer me salsiçet e vendosura në një pjatë kallaji e me mbajtësen e bukës, mbi buzët e rrumbullakëta të së cilës ishte gdhendur ky mbishkrim i rëndësishëm “Bukën tonë të përditshme, na jep sot”. Në mes të mbajtëses së bukës ishte vendosur një gjysmë fete buke e zezë, me pjesën e prerë me shumë kujdes të vendosur nën të.

– E di Lis, çfarë më pyeti pak më parë Knulpi?

– Lëre fare! – tha me shpoti Knulpi e, duke buzëqeshur u kthye nga zonja e shtëpisë:

– Nëse më lejoni, zonjë, unë po marr diçka. Por Rothfussi e cyti më tej:

– Më pyeti nëse kemi fëmijë.

– Ah! – klithi gruaja qeshurazi e doli sërish nga dhoma.

– Nuk keni? – pyeti Knulpi, kur ajo kishte dalë.

– Jo, jo, ende. Ngurrojmë, e di dhe vitet e para është mirë. Po merr diçka, ta hajë djalli! Gruaja hyri, këtë herë me një kabash prej qeramike ngjyrë hiri në të kaltër, mbushur me sidër dhe vendosi mbi tryezë tri gota, që i mbushi me majë. E bëri me zhdërvjeltësi. Knulpi e vështronte dhe buzëqeshte.

– Shëndet, miku im! – thërriti artizani, duke ngritur gotën në drejtim të Knulpit, ndërsa ky i fundit qe shumë i sjellshëm e tha me zë të lartë:

– Zonjat, të parat: shëndeti juaj, zonja Rothfuss! Shëndet, miku im! Ngritën dolli e pinë. Rothfussi rrëzëllente i tëri nga gëzimi e i shkelte syrin së shoqes që ajo të shihte se çfarë sjellje të hatashme kishte miku i tij. Por asaj, prej kohësh, i kishte rënë në sy kjo gjë. – E sheh? – u fut ajo në bisedë. – Zoti Knulp është më i njerëzishëm se ti dhe di si të sillet.

– Ju lutem, – ndërhyri mysafiri, – çdo njeri sillet ashtu siç ka mësuar. E sa për mënyrat, ju fare lehtë mund të më vinit në siklet. Keni shërbyer shumë mirë, si në një hotel luksoz.

– Po, qeshi artizani. Edhe ajo ka mësuar.

– Ku? Mos është hotelxhi i ati?

– Jo, ai ka kohë që i ka vënë shpatullat dheut e unë mezi arrita ta njoh. Por kam shërbyer nja dy vjet në “Bujtinën e Buallit”, nëse ky emër ju kujton diçka.

– “Bujtina e Buallit”? Dikur ka qenë bujtina më e mirë në Lachstetten, – tha Knulpi, duke miratuar.

– Është ende, apo jo Emil? Bujtësit tanë ishin të gjithë agjentë tregtarë dhe turistë.

– E besoj, zonjë. E marr me mend që keni qenë mirë dhe rroga s’ka qenë për t’u përbuzur. Por një shtëpi e vetja është gjithmonë më mirë, apo jo?

Ngadalë e me lëvizje prej ustai, përhapi salsiçen e butë mbi bukë dhe largoi në buzë të pjatës lëkurën që kishte hequr me shumë kujdes, duke pirë hera – herës nga një gllënjkë sidër të shijshme. Artizani vështronte me kënaqësi e respekt ato duar elegante e me gishta të hollë, që kryenin detyrën e tyre me aq art e saktësi. Edhe e shoqja e vështronte e mrekulluar.

– Gjithsesi, nuk ke një çehre të mirë, – filloi ta qortonte Emil Rothfussi dhe Knulpi duhej ta pranonte se kohët e fundit gjërat kishin marrë për ters e ai kishte përfunduar në spital. Por heshti për ato hollësira të dhimbshme. E kur më vonë miku e pyeti se ç’qëllirne kishte e i ofroi me gjithë zemër mikpritjen e tij për një kohë të papërcaktuar, gjë që Knulpi e priste dhe ishte mbështetur tek ajo, atë e kapi, të thuash një krizë druajtjeje, falënderoi me një fije zëri e i shtyu për të nesërmen biseda të tilla.

– Mund të flasim nesër apo pasnesër, – pohoi me shkujdesje. Falë Zotit, ditë ka plot e do të rri nga pak në çdo shtëpi. Nuk kishte qejf të premtonte apo të bënte plane afatgjata. Nëse s’ishte i lirë të kalonte ditën e nesërme ashtu siç donte, ndihej në siklet.

– Por nëse me të vërtetë do të më duhej të qëndroja këtu pak më gjatë, atëherë më duhet të regjistrohem si punëtori yt.

– Përse jo? – shpërtheu në të qeshura artizani. – Ti, punëtori imi. Përveç kësaj, ti nuk je as regjës.

– S’ka rëndësi, s’e kupton? S’më intereson fare regjja, edhe pse mund të jetë një punë e bukur. Lëre pastaj, që s’jam i prerë për punë. Vetëm ditarit tim prej endacaku do t’i bënte mirë. Për shpenzimet e arkës së lëvizshme, do të kujdesem vetë.

– Mund ta shoh ditarin tënd?

Knulpi rrëmoi në xhepin e xhaketës së tij jo shumë të re dhe nxori ditarin e mbështjellë me kujdes, të mbrojtur brenda një mushamaje.

Mjeshtri regjës e vështroi me kujdes dhe qeshi.

– Gjithmonë i paqortueshëm. Duket sikur ke dalë dje nga shtëpia e nënës tënde.

Pastaj këqyri shënimet, vulat dhe tundi kokën shumë i mrekulluar:

– Çfarë saktësie! Gjithë gjërat e tua duhet të jenë të fisme.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë