Loading…

Fryma franceze

  • Nga

  • 24/04/2017 | 19:51

Fryma franceze

Rezultati i turit të parë të zgjedhjeve presidenciale franceze i dha goditje të rëndë dhe po aq të dëshiruar  «modës fashistizuese», e cila, viteve të fundit, ka vërshuar skenën politike evropiane. Kështu, populli i Francës, siç e kishte dëshmuar edhe në momente tjera, i tregoi Evropës dhe botës se takimet me historinë nuk i humb dhe, jam i bindur që në 7 maj ai përfundimisht do ta nxjerrë Evropën nga ankthi politik i «aksidenteve demokratike» të tipit Brexit.


S’do mend se çdo përçudnim politik në Francë do ta prekte në bosht të gjithë Bashkimin Evropian dhe do e fuste Evropën në një cikël të rrezikshëm rikthimi në njëfarë nacionalizmi që veç prosperitet s’do ofronte. Prandaj këto zgjedhje ishin të një rëndësie kruciale për të gjithë, si për BE-në ashtu edhe për Zonën euro. Si për fqinjët e Evropës ashtu edhe për vendet e Ballkanit perëndimor, të cilët janë në procese integruese relativisht të avancuara tashmë.

Dalja e Emmanuel Macron në krye të rezultateve me afër 24% (23,75) të votave e dëshmoi edhe një gjë tjetër : atë që populli francez ka vendosur më në fund t’ia kthejë shpinën një klase politike anakronike dhe të zhytur sa në skandale aq edhe në mossuksese këto 30 vitet e fundit. Domethënë, dy risi nxori turi i parë, në njërën anë frenimin brutal të elanit fashistizues të përfaqësuar nga Marine Le Pen, e cila para dy muajve ishte e kredituar me mbi 30% dhe që mori ‘vetëm’ 21,53%, dhe në anën tjetër debaklin e papërjetuar ndonjëherë të dy partive kryesore politike të Republikës së Pestë franceze, Partisë socialiste dhe asaj Republikane (Les républicains).

Që nga nisja e fushatës parazgjedhore, edhe pse 11 kandidatë ishin në garë, opinioni francez ishte i ndarë në dy kampe politike, jashtë ideologjive përkatëse. Kampi i vetizolimit me programe sa anakronike, si ai i Jean-Luc Mélenchon, aq edhe apokaliptike, si ai i Marine Le Pen apo i François Fillon. Ky kamp, në të cilin u gjenden shumica e kandidatëve, dështoi, sepse francezët nuk u bindën që arsyeja e papunësisë ishin refugjatët sirianë, sikurse nuk u bindën që pengesa e rimëkëmbjes ekonomike të Francës ishte eksluzivisht Brukseli. Francezët, si popull politikisht i emancipuar, e kuptuan se nuk guxonin të aksidentoheshin kolektivisht në aventura politike. Për më tepër, fryma franceze nuk është (fatmirësisht) akoma e gatshme të përfaqësohet nga urrejtja apo nga emocioni, duke e tradhtuar arsyen e shendoshë dhe parimet humaniste që janë ADN-ja e asaj që quhet Francë.

Kampi i dytë ishte ai i hapjes ndaj botës dhe ndaj Evropës. Në këtë kamp u gjend vetëm një kandidat serioz, me program koherent dhe konkret, e ai ishte Emmanuel Macron, fituesi i rundit të parë të zgjedhjeve. Macron fitoi për arsyet që i thashë më sipër, i ndihmuar edhe nga dekredibiliteti i personazheve politike klasike të zhytura në skandale dhe afera të papranueshme për opinionin francez. Fitoi duke premtuar prosperitet dhe drejtësi sociale, duke premtuar qëndrim në NATO, qëndrim në Euro dhe qëndrim në Schengen. Fitoi gjithashtu duke premtuar angazhim të Francës në mbrojtje të të drejtave të njeriut gjithandej nëpër botë dhe sidomos angazhim në zhdukjen e fantazmës barbare që është shteti terrorist islamik. Fitoi duke mos e krahasuar Kosovën me Krimenë për t’i arsyetuar veprimet luftarake të Putinit i shtyrë ose nga antiamerikanizmi ose nga nostalgjia e sovjetizmit, siç bënë François Fillon dhe Jean-Luc Mélenchon. Thjesht, Macron ka premtuar ta vëjë Francën në lëvizje, ‘En Marche’.

Çka pritet të ndodhë tani?

Në fakt, që nga sot francezët e dinë kush do jetë presidenti i tyre për pesë vitet e ardhshme, sepse, jashtë logjikës së sondazheve dhe ideologjive politike, fryma franceze është ajo që vendos në raste të tilla. Marine Le Pen, që në momentin e kualifikimit në turin e parë, ajo në fakt ka siguruar biletë humbëse për turin e dytë. Kjo mund të duket paradoksale, por në Francë politika ka funksionim të ndryshëm nga vendet e tjera. Në këtë vijë, përsëri jashtë ideologjive politike, shumica e kandidatëve humbës që mbrëmë u rreshtuan në krah të fituesit Emmanuel Macron për t’i bërë front Frontit Kombëtar të ekstremit të djathtë. Kështu, në opinionin francez veç u krijua Fronti kundër Frontit, i cili do ia rikujtojë Marine Le Pen se Franca nuk është as Hungari, as Poloni e deri diku, as Amerikë.

Problematika e radhës do jenë zgjedhjet legjislative të qershorit, në të cilat, me rikonfigurimin e skenës politike që tashmë ndodhi, partitë ‘klasike’ me gjasë do ta kenë të pamundur të sigurojnë shumicë parlamentare. Pritet që për herë të parë në Republikën e pestë, shumica parlamentare të krijohet vetëm përmes koalicioneve. Partia e sapokrijuar e Emmanuel Macron ‘En Marche’ [Në lëvizje] pritet të përfaqësohet dukshëm në përbërjen e ardhshme parlamentare. Megjithatë, Presidenti Macron duhet ta gjejë formulën e duhur që të sigurojë shumicë solide qeverisëse për pesë vitet e ardhshme, përndryshe programi i tij nuk do të mund të zbatohej. Një formulë e tillë duket lehtësisht e arritshme kur analizojmë spektrin ideologjik dhe programor realitivisht të gjerë të Emmanuel Macron, i cili shtrihet nga e majta klasike deri tek e djathta e butë, apo ajo që quhet qendra në kuptimin politik të fjalës.

Sot mund të themi se fryma franceze e shpëtoi Evropën nga asfiksia dhe nga ideologjitë e rrezikshme, që si karburant kanë urrejtjen ndaj tjetrit dhe izolimin kolektiv.

(Autori është profesor i Shkencave Politike në Paris. Artikulli botohet me lejen e tij)

Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë