Ndonëse kanë kaluar pothuajse një muaj nga zgjedhja e Justina Shiroka-Pulës në postin e Presidentes së Kosovës, në disa institucione të rëndësishme shtetërore ende shihet fotografia e ish-presidentes Vjosa Osmani, shkruan Gazeta Metro.
Rasti i parë është vërejtur në Shtabin e Përgjithshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), gjatë një takimi zyrtar të komandantit të FSK-së, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me agjutantin e përgjithshëm të Gardës Kombëtare të Ajovës, gjeneralmajor Stephen E. Osborn.
Gjatë këtij takimi, të mbajtur në Kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, gjeneral Jashari i ndau gjeneralit Osborn Medaljen për Shërbim Vetëmohues, në shenjë mirënjohjeje për kontributin në forcimin e bashkëpunimit ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Ajovës.
Megjithatë, në pamjet video të publikuara nga faqja zyrtare e FSK-së, në murin e sallës ku u zhvillua takimi shihej fotografia e ish-presidentes Vjosa Osmani.
Fotografia e saj është vërejtur edhe në ambientet e Policisë së Kosovës. Në një njoftim të publikuar së fundmi nga ky institucion, në sfond shihej ende portreti i ish-presidentes.
Justina Shiroka-Pula u zgjodh Presidente e Kosovës në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, të mbajtur më 6 tetor 2026, duke marrë 81 vota në raundin e parë të votimit.
Ndërkaq, sipas Ligjit për Protokollin e Shtetit, përkatësisht nenit 20, paragrafit 3, të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës obligohen që në mjediset e tyre ta vendosin fotografinë e Presidentit.
Deri më tani, nuk është bërë e ditur publikisht arsyeja pse fotografia e ish-presidentes vazhdon të jetë e vendosur në këto hapësira institucionale./gazetametro.net
Policia e Kosovës ende mban fotografinë e Vjosa Osmanit në zyrat e saj