Komandanti i Forcës së Sigurisë të Kosovës, Rrahman Rama, me ftesë të Shefit të Shtabit të Forcave të Armatosura të Kroacisë, Mirko Shundov, po merr pjesë në Konferencën e 20-të “SHBA-Karta e Adriatikut A-5” të shefave të Mbrojtjes.
Në konferencën Karta Adriatikut –A5, e cila këtë vit, po mbahet në Split të Kroacisë nga 29 nëntori e deri më 1 dhjetor po marrin pjesë shefat e Shtabeve të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Kroacisë, Republikës së Shqipërisë, Bosnjës dhe Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë, si dhe vendet vëzhguese si: Sllovenia dhe Kosova.
Po ashtu në Konferencë pjesëmarrës janë edhe zëvendës komandant i forcave amerikane për Evropë, gjenerallejtënant Thimothy M. Raya, komandantët e Gardës Kombëtare të vendeve partnere nga Shtetet e Bashkuara.
Temë kryesore e kësaj konference është “Përmirësimi i ndëroperacionalitetit dhe qasja e përbashkët drejt qëllimeve të partneritetit/objektivave dhe aftësimi përmes trajnimeve dhe ushtrimeve të kombinuara”.
Qëllimi i kësaj konference është edhe shkëmbimi i përvojave në mes shteteve të cilat kanë kaluar nëpër fazat kryesore për anëtarësim në NATO dhe të atyre të cilat synojnë anëtarësimin e plotë në NATO.
Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, gjatë kësaj konference do të zhvillojë takime dypalëshe me shefat e mbrojtjes të shteteve pjesëmarrëse, si të SHBA-së, Kroacisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi..