Loading…

Fushata, ndërmjet vijave të kuqe, popullizmit dhe real politikës

  • Nga

  • BSILIM BISLIMI

  • 03/10/2019 | 11:50

Fushata, ndërmjet vijave të kuqe, popullizmit dhe real politikës

Këto janë zgjedhjet parlamentare të tretat me radhë në Republikën tonë, që dominante themelore e konfrontimit të opsioneve politike, vazhdon të mbetet i ashtuquajturi fenomeni i vënies së vijave të kuqe për bashkëpunimin eventual post zgjedhor ndërmjet partive politike. Në anën tjetër, sistemi politik dhe komponenti ndër themelori i tij, sistemi zgjedhor, janë të ndërtuara në atë mënyrë që paralajmëron domosdoshmërinë e bashkëqeverisjes ndërmjet dy apo më shumë grupeve politike.


Shkruan Bislim Bislimi

Këto dy të realitete, pra ekskomunikimi i kundërshtarit me “vijat e kuqe” dhe pamundësia absolute që një parti të qeverisë si e vetme e që nënkupton një përplasje direkte në mes vete, kanë rënduar agjendën politike të shtetit dhe përgjithësisht kanë frenuar zhvillimin demokratik dhe reformat sistemore që i sjellë një demokraci funksionale, sidomos nga viti 2014 e këtej.

Partitë politike në Kosovë, sidomos nga koha e krijimit të koalicionit VLAN, një koalicion ky i prodhuar nën efektin e “vijave të kuqe”, i janë futur një spiraleje të përplasjes me faktorë të rëndësishëm të real politikës në vendin tonë, e në disa raste edhe me vet sistemin politik dhe atë kushtetues në Kosovë. Rezultat i kësaj, kishim dy kriza të rënda politika në vitin 2014, pastaj në vitin 2017 dhe sëfundmi, krijimin e një qeverie thellësisht jo kohezive në përbërje dhe të paqëndrueshme edhe nga forca politike parlamentare, sic ishte kjo e fundit.

Kosova ende, cuditërisht madje, nuk po ja del të ndërtojë një debat të mirëfilltë mbi nevojën e reformimit të sistemit të saj politik, sitemit zgjedhor dhe ndryshimeve eventuale kushtetuese. Kemi një sistem zgjedhor të njëjtë tash e 12 vite dhe me gjithë faktin se shpesh janë ndeshur dobësi të rënda në implementimin e tij, përsëri nuk është ndryshuar dhe as tentuar madje, të bëhet një gjë e tillë.

Nëse i refereohemi praktikës së njohur të “vijave të kuqe”, prezente sidomos tek partitë e mëdha politike për një kohë të gjatë, atëherë, këto parti do të duhej të merreshin vesh që të propozonin një paketë reformash politike kushtetuese, me theks të vecantë zgjedhore, në mënyrë që sistemi ynë politik të kthehej në një sistem dy ose tre polarë që do të mundësonte një formulë me një mazhorancë të pastër dhe me një opozitë të pastër. Me opsionin e ndryshimeve dhe reformave në kuadër të sistemit politik, do të shmangej në tërësi diskutimi i vijave të kuqe për koalicione, do të krijohej hapsirë për konsensus politik për cështje të karakterit nacional e shtetëror, do të instalohej në mënyrë efikase mekanizmi i llogaridhënies politike dhe do të zvogëlonte mundësitë për kalkulime politike të cilat i mbivendosën, apo vihen në kurriz të demokracisë. Kështu sic veprohet tani, “vijat e kuqe”, janë praktikisht një shantazhim që partitë politike ja bëjnë sistemit politik dhe kushtetues të vendit, në procesin e ndërtimit të institucioneve të pushtetit shtetëror.

Fushata zgjedhore që është në zhvillim e sipër, ka sjellë një sforcim edhe më të madh të partive për të luajtur me “vija të kuqe”, si një mënyrë e përshtatshme dhe më e lehtë për të rritur kuotat elektorale në radhët e militantëve.

Fushata përgjithësisht, ka një dozë të lartë të ligjerimit populist, që tenton të godas emocionet e masave e turmave popullore, nën supozimin e një shkalle të ulët të arsimimit të popullësisë dhe të një mungese evidente të opinionit kritik që do të arrinte me sukses të ballafaqonte këtë ligjerim me zonën e argumenteve dhe kritereve real politike. Pra, në këtë drejtim, përvec që kemi një dështim të partive politike, kemi poashtu një dështim të medias, opinionit kritik dhe botës akademike, e cila, po e lejon ndërveprimin partiak të zhvillojë popullizëm, mungesë programesh për përmirësimin e jetës së qytetarëve, ide e koncepte të reja që do të ushtronin një ndikim në edukimin politik të masave popullore.

Partitë politike në këtë fushatë, kanë përzgjedhur njerëzit, metodat, resurset më të sofistikuara për të garuar, jo në argumentimin e opsioneve politike, por në mjeshtrinë e hudhjes në arenë të sulmeve ad hominem ndaj kundërshtarëve, si mënyrë e portretimit të figurës së rëndësishme politike.

Shembulli tipik i një dorëzimi pa kushte ndaj etheve të popullizmit e të ingranimit emotiv militantist, është Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila, në historinë e saj të gjatë politike, ka arritur me sukses të mbarështrojë vetën politikisht, pa pasur nevojë të zbres nga parimet themelore politike të saj, në ligjërim e sjellje politike sipas epsheve të masave e turmave militanteske, të cilave, gjithmonë, u mungon gjykimi racional.

LDK ka zgjedhur të kandidojë në këto zgjedhje me një figurë politike që nuk përkon gjithëaq, me filozofinë politike të LDK –së, e cila, ndoshta për shkak se është themeluar dhe është përfaqësuar nga personalitete që ishin elita më e rëndësishme e Kosovës kulturore e shkencore, përkufizohej me pak fjalë e fjali por me përmabjtje të parrëzueshme politike.

LDK në pak fjali, arrinte të përconte mesazhin e duhur për vlerat e demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut, meritokracisë, dijes e kulturës, politikës së jashtme etj. LDK me kundërshtarët e saj, nuk konfrontohej me duele direkte, por me nënvizime të zgjuara të argumenteve dalluese të saj me kundërshtarët, ajo arrinte të bënte dallimin esencial në të mirë të saj dhe poashtu të nxirrte në pah dobësitë e kundërshtarit.

Sot, e kemi humbur LDK –në ndërsa e kemi fituar një edhe një celulë më tepër që flet shumë e thotë pak ose aspak. Kjo nuk është një humbje e vogël për skenën politike të Kosovës.

LDK nuk është duke u paraqitur në mënyrën e saj tipike të të bërit fushatë. Vjosa Osmani, një politikane e re dhe energjike, pasi kishte arritur të manovronte ndërmjet përplasjeve politike LDK –së, me theks të vecantë përplasjet ndërmjet kampeve të Isa Mustafës dhe Fatmir Sejdiut, ajo arriti të identifikonte mënyrat se si reagonte militanti tipik i LDK –së, në mënyrë që më pas, të përvijonte vetën si “zëdhënësja e tyre”. Ajo, me qëllim që të konsolidonte figurën e saj si “zonja e hekurt, përballë burrave të ligë të LDK –së” që i nënshtrohen Hashim Thacit e Kadri Veselit, kishte shkaktuar probleme jo të vogla, qeverisjes së LDK –së, me kundërshtimin ndaj dy temave më të nxehta politike në dhjetë vjetshin e fundit, demarkacionit dhe asociacionit, pa cka se më vonë i kishte mbështetur.

Partitë politike nuk i zgjedhin kundërshtarët politik. Kundërshtarët politik, janë rezultat i zhvillimit demokratik dhe i konkurrencës politike në një demokraci funksionale. Më shqip, LDK nuk e zgjedhë dot për kundërshtar politik PDK –në, sikurse edhe e kundërta: PDK nuk mund të përcaktojë nëse do apo jo të ketë për kundërshtar politik LDK –në. Nëse të gjithë pajtohemi se, sistemi politik, përkatësisht ai zgjedhor në Republikën e Kosovës, në mënyrë absolute imponon koalicione në bashkëqeverisje, madje shpesh edhe koalicione të shumicës së kualifikuar, atëherë vënia e “vijave të kuqe” është absurde, e pa logjikshme dhe në fund fare edhe e pamundur. Subjektivitetin dhe legjitimitetin politik, nuk ja përcaktojnë dot partitë njëra tjetrës. Këtë e përcakton, parasegjithash, vullneti i qytetarëve që e kane krijuar dhe voruar një subjekt të caktuar politik. Prandaj kjo përqasje politike, është e gabuar e dëmshme dhe përvec se ka krijuar tensione politike, ka krijuar edhe liderë fallco.

Vija të kuqe një parti mund t’i vë politikave të caktuara të cilat ajo i konsideron të gabuara. Vjosa Osmani, nëse vërtetë beson në ato që thotë, mund t’i vë vija të kuqe qoftë PDK –së apo partive tjera, p.sh, vi të kuqe ndarjes në proporcion 50 me 50 të bordeve të ndërmarrjeve publike, më sakt politizimit të bordeve, vi të kuqe politizimit të administratës apo kurdisjes së tenderëve, politizimit të organeve të drejtësisë apo të kushtëzojë nisma legjislative e administrative për eleminimin e monopoleve në ekonomi, depolitizim të arsimit etj. Kjo nuk ka ndodhur deri më tani. Në vend të kësaj, janë zgjedhur rrugë më të lehta, duke zgjedhur për aleat të fuqizimit politik “sulmin” mbi kundërshtarët politik me ekskomunikim direkt si kjo me “vijat e kuqe”, pa cka se real politika na thotë dicka tjetër. Në fakt, kjo e fundit gjithmonë është mjaftë kokëfortë.

(Bsilim Bislimi është Shefi i Divizionit për Hartimin dhe Harmonizimin e Legjislacionit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë