Për më shumë se tetë orë, sot hetuesit e Gjykatës Speciale të Hagës kanë kryer një bastisje në zyret e OVL së UÇK’së në Prishtinë, dhe kanë arrestuar dy nga figurat kryesore të këtij institucioni, kryetarin Hysni Gucatin dhe nënkryetarin, Nasim Haradinajn, shkruan Gazeta Metro.
Avokati Tomë Gashi i OVL’së ka thënë se nga Haga mendojnë se janë kopjuar dokumentet e dorëzuara në OVL të UÇK’së dhe se për këtë po e bëjnë bastisjen.
“Ata mendojnë se mos janë kopjuar gjëra të tjera të dokumenteve, gjë që nuk ka ndodhur dokumentet gjithmonë hetuesit i kanë marrë ato që kanë mbetur”, tha Gashi në KlanKosova, duke theksuar se rasti që nuk është dashur të ndodh fare është arrestimi i kryetarit të OVL UÇK’së, Hysni Gucatit, dhe i Nasim Haradinajt.
“Ne themi se rasti që nuk është dashur të ndodh fare është arrestimi i kryetarit të OVL UÇK-së, Hysni Gucatit, dhe i Nasim Haradinajt. Ne nga ajo që e kemi parë Z. Gucati është arrestuar në lidhshmëri me dokumentet që janë sjell nga persona të paftuar në OVL të UÇK-së. Ata tani janë duke bërë një bastisje rutinore nuk ka asgjë spektakolare janë duke konfiskuar thjesht shtëpiza të kompjuterëve për të parë eventualisht mos po gjendet ndonjë gjurmë inkriminuese. Unë besoj se gjithë fajin mund ta ketë Gjykata Speciale që i ka lejuar t’i rrjedhin këto dokumente dhe jo OVL e UÇK-së, meqenëse se ata kanë thënë gjithmonë që dokumentet që i kanë sjell personat për tre rastet do t’i bëjnë publike meqenëse kjo organizatë është kundër Gjykatës Speciale dhe shihet bashkëpunimi i organeve të Serbisë me Gjykatën Speciale”, tha avokati Gashi.