Loading…

Gazetari shqiptar nga Maqedonia e Veriut: Mes Shkupit dhe Ballkanit, le të fitojë më i miri

  • 14/08/2022 | 20:37

Gazetari shqiptar nga Maqedonia e Veriut: Mes Shkupit dhe Ballkanit, le të fitojë më i miri

Ballkani dhe Shkupi janë dy skuadrat e vetme shqiptare që kanë mbetur në garat europiane. Në fazën e ‘play-offit’ të Conference League fati deshi që të dy ekipet të përballen me njëra-tjetrën, derisa është e sigurt se njëra do të marrë pjesë në fazën e grupeve. Lidhur me këtë ndeshje mjaft interesante Gazeta Metro ka kontaktuar gazetarin shqiptar nga Maqedonia e Veriut, Aziz Sahiti. Ai foli rreth pritshmërive të tij për këtë duel, sa ka mundur ta përcjellë Ballkanin në ballafaqimet në Europë si dhe ka edhe një mesazh për dy tifo grupet ‘Shvercerat’ dhe ‘Xhebrailat’.


Në stadiumin ‘Todor Proeski’ këtë të enjte me fillim nga ora 21:00 do të takohen kampioni në fuqi i Maqedonisë së Veriut, Shkupi dhe kampioni i Kosovës, Ballkani. Ndërsa, gjithashtu pritet të mbizotëroj një atmosferë e jashtëzakonshme.

Në një prononcim për Gazeta Metro gazetari, Aziz Sahiti tregoi se nuk kishte dëshiruar që dy ekipet shqiptare të takohen në këtë fazë, pasi sipas tij me atë çfarë kanë treguar gjatë aventurës në Europë si Shkupi ashtu edhe Ballkani do të arrinin në fazën e grupeve.

”Fillimisht që nga hedhja e shortit të ‘play-offit’, sinqerisht nuk dëshiroja të dyja skuadrat shqiptare të takohen në këtë fazë, por mund ta quaj ‘fat i keq’ pasi vetëm njëra nga të dyjat mund të kualifikohet në grupet e Ligës së Konferencës dhe shqiptarët do ta kenë vetëm një ekip që do ti përfaqësoj në Europë, teksa ashtu siç shkuan punët mund të kishim dy. Por, gjithsesi edhe kjo është një arritje e madhe për të dyjat dhe cila të tregoi më të mirën në fushë le ta shkruajë historinë në kualifikim në grupe,” tha ai.

Skuadra e udhëhequr nga Ilir Daja përkundër faktit se ishte hera e parë që po merrte pjesë në arenën ndërkombëtare dhe nuk kishte përvojën e duhur, tregoi paraqitje të shkëlqyer. Sahiti thotë që dallimi mes dy klubeve është vetëm te përvoja.

”Me aq sa kam mundur ta shoh në ndeshjet europiane, Ballkani ka treguar lojë të mirë dhe të organizuar. Dhe jo rastësisht arriti deri në këtë fazë. Dallim ndërmjet dy skuadrave,është vetëm përvoja në garat europiane, me Shkupin qe ka zhvilluar më shumë ndeshje dhe viteve të fundit luan vazhdimisht,” tha ai.

“Në fushë le të fitojë më i miri, e tifo grupet të tregojnë spektakël”, thotë ai kur pyetet se cili është mesazhi i tij për dy tifo grupet ‘Shvercarat’ dhe ‘Xhebrailat’.

”Të dy grupet e tifozëve duhet të ndjehen krenar me ekipet dhe futbollistët e tyre për atë çka kanë treguar këtë verë në eliminatoret e garave Europiane. Për të dyja ekipet është arritje e madhe, pa marrë parasysh se kush vazhdon tutje. Kështu që nga të dy tifo grupet pres spektakël në këto dy ndeshje, ndërsa në fushë le të fitojë i miri,” përfundoi ai për Gazeta Metro.

Kujtojmë se për të arritur në fazën e ‘play-offit’ suharekasit eliminuan klubin nga Ishujt Faroe, Klaksvik pas ekzekutimit të penalltive (rezultati i përgjithshëm 5-5), ndërsa Shkupi u eliminua nga Shamrock Rovers në fazën e tretë të Europa League me rezultat të përgjithshëm 2-5. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë