Loading…

Gërvalla e quan të painformuar ambasadorin e BE’së rreth procesit të vetingut

  • 02/11/2021 | 12:47

Gërvalla e quan të painformuar ambasadorin e BE’së rreth procesit të vetingut

Ministrja e Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, tha se procesi i vetingut është i rëndësishëm për vendin dhe se duhet të çohet përpara. Ministrja tha se Kosova gëzon përkrahjen e shteteve të BE-së për ta përmbushur këtë detyrë.


“Sa i përket vetingut, shteti ligjor, kjo qeveri, ka një përkrahje të gjerë të shteteve anëtare të BE-së për të përmbushur premtimin tonë. Konsideroj se është i domosdoshëm vetingu”, tha Gërvalla në Komisionin për Integrime.

Duke iu përgjigjur deklaratës së shefit të Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, i cili ditë më parë tha se Kosova vërtet ka probleme të theksuara në sistemin e drejtësisë, por sipas tij procesi i vetingut do të ishte hapi i fundit për të përmirësuar këtë sistem, ministrja e Jashtme tha se arsyeja pse ky ambasador kundërshton të ketë veting në Kosovë është informimi në mënyrë të gabuar.

Ndërsa e ka ftuar Szunyogun në një takim për ta informuar rreth kësaj teme.

“Ta vazhdojmë dialogun me ngulm, sepse në këtë pikë ambasadori gabon, gabon sepse është informuar gabim. Nuk e mohoj se është detyrë imja për këtë pjesë të hyjmë në një dialog për këtë çështje është pjesë e detyrimit, sepse kemi nevojë për ndihmë të madhe. Në parim procesi i vetingut është i domosdoshëm dhe është i duhuri dhe duhet ta ecim përpara, me qëllim që të mos kthehet në një ‘never ending story’ si në shtetet fqinje”, përfundoi ministrja Gërvalla.

Ambasadori Szunzog tha se vetingu në drejtësi duhet të jetë mjeti i fundit për ta përmirësuar sistemin e drejtësisë në vend.

“Kosova ka mjete të mira për të matur integritetin e gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe ka mjete për të matur punën e tyre. Ne nuk e shohim vetingun si diçka që duhet të jetë gjëja e parë për të përmirësuar sistemin e drejtësisë. Vetingu është mjeti i fundit. Pra nëse asgjë nuk funksionon, duhet të vijë në pyetje vetingu”, ishte shprehur ai në një deklaratë televizive.

Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë ka deklaruar se ka ende mjete që nuk janë përdorur për të përmirësuar sistemin e drejtësisë.

“Ne kemi analizuar koncept-dokumentin për vetingun dhe nuk i kemi të qarta disa koncepte. Kuvendi e Qeveria mund ta miratojnë vetingun, por ne mbështesim vetëm proceset që ne ndihemi rehat”.

Szunyogu ka thënë se para se Qeveria të hedhë hapin e radhës për vetingun, duhet të konsultohet më shumë me partnerët ndërkombëtarë. Ai kishte thënë se vetingu merr shumë kohë që të jetësohet dhe kërkon shumë mjete financiare.

“Në Shqipëri vetingu ka marrë pesë vjet dhe ende nuk ka përfunduar. Unë nuk kam besim se vetingu në Kosovë do të përmirësonte sistemin e drejtësisë”, ishte shprehur Szunyogu.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë