Gjakova organizon edicionin e pestë të ‘’Komedia Fest’’, e cila këtë herë del jashtë kufijve.
“Komedia Fest” është një festival i cili ka për qëllim të promovojë vlerat kulturore duke u shprehur gjithmonë përmes artit në zhanrin e komedisë. Vlera e kësaj ngjarje qëndron në faktin se artistë vendorë e të huaj promovojnë veten dhe vendin e tyre në mënyrë artistike.
Për dallim nga edicionet tjera këtë vit do të ketë edhe pjesëmarrës të vendeve të huaja. Disa nga trupat teatrore të konfirmuara tashmë janë nga Prishtina, Mitrovica, Gjakova, Shkodra, Tetova dhe nga Finlanda.
“Veçantia e këtij viti është performanca e artistit të njohur Adam Darius, i cili rikthehet në Kosovë për herë të tretë, në kuadër të turneut botëror lamtumirës që po e zhvillon gjatë tërë vitit, në të gjitha kontinentet”, thuhet në njoftim.
Këtë festival e përkrahë Komuna e Gjakovës dhe Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport e këtij qyteti.
E para e kësaj komune Mimoza Kusari- Lila, u bënë thirrje të gjithëve t’i bashkohen kësaj ngjarje e cila do të disponojë shikuesit nga data 31 tetor deri me 6 nëntor.
‘’Ma mirë se me shiku debate politike komiko/tragjike, vizitoni Komedia Fest në Gjakovë.
Për hajgare, ironi dhe shpoti ja kemi pasë dorën gjithmonë, këtë s’munden me na mohu, sa ja kemi qëllu nuk e di, por mu mundu jemi mundu.
Bëni më të hareshme mbrëmjet tuaja me KomediaFest’’ është shprehur Kusari-Lila nëpërmjet një statusi në rrjetin social Facebook.