“Kemi 447 dëshmitarë dhe mbi një mijë dëshmi materiale”, thonë në Prokurorinë e BeH-së
Prokuroria e Bosnjë-Hercegovinës ka konfirmuar të enjten se ka ngritur aktakuzë kundër Atif Dudakocivit, gjeneralit të pensionuar të Armatës së BeH-së dhe komandantit luftarak të Korpusit të saj të pestë, pjesëtarët e të cilit e kanë mbrojtur rajonin e Bihaçit.
Dudakovic dhe 16 pjesëtarë të Korpusit të pestë janë akuzuar për krime lufte në rajonin e Bosanska krajinës.
Akuza ka të bëjë me vepër penale të vrasjes së rreth 300 personave, dëbim e keqtrajtim të civilëve dhe të burgosurve të luftës si dhe shkatërrimin e 38 kishave ortodokse dhe objekteve tjera fetare.
Krahas Dudakovicit janë akuzuar edhe Ekrem Dedic, Sanel Sabic, Ibrahim Siljedic i quajtur Siljo, Safet Salihagic, Adis Zjakic, Hasan Ruznic, Redjep Zlojic, Samir Solakovic, Fatmir Muratovic, Muharem Alesevis, Husein Balagis, Ale Hodzic, Edin Domazet, Ejub Konjezic i quajtur Ejko dhe Sesirdzija, Ibrahim Nadarevic dhe Said Mujic.
Të gjithë ata ngarkohen për vepra kundër njerëzimit të bëra në rajonin e komunave Petrovac, Kluç, Bosanska Krupa, Sanski Most dhe krim kundër popullatës civile në rajonin e komunave Bihac e Cazin.
Një pjesë e akuzës kundër Dudakovicit ka të bëjë me krime luftë të bëra ndaj vitimave të kombësisë boshnjake, pjesëtarëve e mbështetësve të njësive të të ashtuajtutës krahina autonome Bosnja Perëndimore, të cilën e ka themeluar Fikret Abdic.
Nga Prokuroria e BeH-së kanë paralajmëruar se fajin e të akuzuarve, në qoftë se akuzën e konfirmon Gjykata e Beh-së, do ta dëshmojnë me 447 dëshmitarë dhe gjashtë ekspertë gjyqësore si dhe me prezantimin e mbi një mijë dëshmive materiale.
Dudakovic në BeH konsiderohet si njëri nga heronjtë e mbrojtjes së vendit gjatë luftës nga viti 1992-1995. Me përfundimin e konflikteve luftarake ka qenë në detyrën e komandantit të shtabit të përbashkët të Ushtrisë së Federatës e BeH-së. Pas kësaj është pensionuar dhe që atëherë është tërhequr gradualisht dhe jeton i tërhequr në Bihaq./gazetametro.net