Loading…

Gjermania pak më ‘e butë’ se SHBA: Ka kërkesë të njëjtë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

  • 19/03/2023 | 13:01

Gjermania pak më ‘e butë’ se SHBA: Ka kërkesë të njëjtë për marrëveshjen Kosovë-Serbi

Gjermania e ka quajtur lajm të mirë arritjen e marrëveshjes së Kosovës me Serbinë për zbatimin e aneksit që del nga plani franko-gjerman, shkruan Gazeta Metro.


Kështu ka shkruar zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit, i cili ka shtuar se tani duhet të zbatohet marrëveshja që është rënë dakord mes dy palëve.

“Urime për këtë progres për të vendosur marrëdhëniet mes Serbisë dhe Kosovës në një pikëmbështetje të re! Tani gjithçka ka të bëjë me marrjen e udhëheqjes për mbajtjen dhe zbatimin e asaj që është rënë dakord. Ne do të jemi në krahun tuaj për të përmbushur perspektivën tuaj evropiane!”, ka thënë Hebestreit.

Në takimin e djeshëm 12 orësh, i cili ishte i ndërmjetësuar nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe i dërguari special për dialogun, Miroslav Lajçak, u arrit ujdia e shumë pritur, e cila fillet i ka nga takimi i 27 shkurtit.

Marrëveshjen Kosovë-Serbi e kanë përshëndetur edhe amerikanët.

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë Jeff Hovenier,  me një postim në rrjetin social Twiter  tha se SHBA do të ofrojë mbështetje të plotë për zbatimin e detyrimeve që dakin nga kjo marrëveshje.

“Është arritur marrëveshje e rëndësishme. Shtetet e Bashkuara do të ofrojnë mbështetje të plotë për zbatimin e këtyre detyrimeve në përputhje me përpjekjet tona afatgjata për të avancuar sigurinë, stabilitetin dhe prosperitetin për popullin e Kosovës dhe të rajonit”, ka shkruar ai.

Po ashtu sot ka reaguar edhe zëdhënësja e Këshillit të Sigurimit Kombëtar të SHBA’së, Adrienne Watson.

Në një postim në Twitter, Watson u ka bërë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur.

”Ne mirëpresim marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja dhe të mbështetur nga SHBA-ja për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, dhe u bëjmë thirrje të dyja palëve që të fillojnë zbatimin e detyrimeve të tyre sa më shpejt të jetë e mundur,” ka shkruar ajo.

Kujtojmë se dje pas takimit maratonik që zgjati më shumë se 10 orë Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Europian, Josep Borrell, pala kosovare dhe ajo serbe janë pajtuar për Aneksin e implementimit të marrëveshjes drejt rrugës së normalizimit të tyre.

”Synimi i takimit të sotëm ishte që Kosova dhe Serbia të pajtohen si ta implementojnë marrëveshjen e pranuar në takimin e kaluar të nivelit të lartë më 27 shkurt. Sot ishte synimi si të zbatohet. Kjo do të thotë hapa praktikë se çfarë duhet të bërë, kur duhet të bërë, nga kush duhet të bëhet dhe si.”

Përmes portalit EEAS, BE’ja më vonë publikoi Aneksin e Implementimit të Marrëveshjes për Normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.

Pika më e nxehtë e ujdisë ajo që i përket nenit 7, njëherazi është pika më kontroverse për vet kryeministrin Albin Kurti, ajo e vetëqeverisjes së serbëve të Kosovës përmes një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Aty obligohet direkt Kosova që të fillojë procedurat për themelimin e kësaj niveli të vet-menaxhimit siç quhet ‘menjëherë’ siç tha Përfaqësuesi i Lartë i Komisionit Europian, Josep Borrell./gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë