Loading…

Gjithçka në rregull sipas Kurtit, thotë se Qeveria pati përformancë të jashtëzakonshme në ekonomi

  • 02/11/2021 | 19:39

Gjithçka në rregull sipas Kurtit, thotë se Qeveria pati përformancë të jashtëzakonshme në ekonomi

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar sot takim virtual me përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, prirë nga Gabriel Di Bella, Shef i Misionit për Kosovë.

Në takimin e përbashkët me Zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi dhe Ministrin Hekuran Murati, Kryeministri i falënderoi për mbështetjen që FMN-ja i ka dhënë Republikës së Kosovës deri më sot.

“Kryeministri Kurti gjatë bisedës tha se ndonëse pandemia ka sjellë tendosje të konsiderueshme duke qenë se po i afrohemi vitit të dytë të pandemisë, performanca e jashtëzakonshme e ekonomisë sonë me një rritje mesatare prej 10.4% në pjesën e parë të 2021, na bën optimistë se kjo do të jetë trajektorja e zhvillimit të vendit edhe për vitet në vijim. Kjo performancë ka ndikuar edhe në të hyra buxhetore, të cilat na kanë mundësuar zbatimin e pikave të programit qeverisës më herët se që kishim planifikuar, gjë që mund të vërehet edhe me buxhetin e vitit 2022, që u miratua në mbledhjen e fundit të Qeverisë”, thuhet në komunikatën e qeverisë.

Nga ana tjetër, siç tha qeveria në njoftim, Di Bella përgëzoi Qeverinë e Kosovës për suksesin në vaksinimin e popullatës, duke e bërë vendin lider në rajon, përkundër faktit që kishte një start të vonshëm në këtë proces.

“Ai gjithashtu foli mbi performancën e mirë ekonomike dhe buxhetore, që ishte përtej parashikimeve fillestare. Në lidhje me këtë u shpreh, që Kosova përbënte një rast unik në botë, ku diaspora kishte një ardhje kaq të lartë në atdhe, pas lirimit të masave”, thuhet tutje në komunikatën e qeverisë.

“Në takim u diskutua edhe në lidhje me masat e suksesshme për formalizimin e ekonomisë të ndërmarra nga Qeveria, e që kanë rezultuar me më shumë të hyra buxhetore. Po ashtu, u diskutua edhe për inflacionin, që është fenomen i shfaqur muajve të fundit në nivel global dhe masat, që qeveria jonë dhe qeveri të ndryshme nëpër botë po ndërmarrin që t’u vijnë në ndihmë qytetarëve”, thuhet në fund të njoftimit të qeverisë.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë