Loading…

Gjithçka që ndodhi në mbledhjen e djeshme të KQZ’së

  • 23/01/2021 | 07:58

Gjithçka që ndodhi në mbledhjen e djeshme të KQZ’së

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dje mbajti mbledhje maratonike shtatëorëshe në të cilën temë e nxehtë diskutimi ishte certifikimi i listave të subjekteve politike që garojnë në zgjedhjet e 14 shkurtit.


Shkak i krejt muhabeteve të ashpra ishte rekomandimi i Zyrës për Regjistrim dhe Certifikim të Partive Politike që përkrahte certifikimin e të gjithë kandidatëve përfshirë këtu edhe ata që janë dënuar në tre vjetët e fundit.

Kjo u përkrah nga Vetëvendosja, AAK-ja dhe NISMA, por u kundërshtua nga PDK-ja, LDK-ja, si dhe kryesuesja Valdete Daka.

Në fund të mbledhjes së gjatë, Nisma, që ka në listë persona të dënuar, nuk u certifikua as si parti e as si listë.

Njësoj ndodhi edhe me listën e Vetëvendosjes që i prin Albin Kurti me një dënim të shqiptuar në tri vjetët e fundit. Fat të njëjtë pati edhe AAK-ja.

Nga partitë e mëdha dritë të gjelbër morën listat e PDK-së e LDK-së.

Në Vetëvendosje konsiderojnë se gjithë kjo u bë për ta ndaluar Kurtin dhe të tjerët të jenë në garë zgjedhore. Ndërsa padrejtësi e konsiderojnë edhe në Nisma e AAK që paralajmërojnë veprime të mëtejme ligjore.

Kryetarja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka, tha se subjektet politike dhe kandidatët që vlerësojnë se pa të drejtë nuk janë certifikuar, kanë të drejtë ankese në afat prej 24 orësh në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).

Çështja mund të shkojë deri në Gjykatën Supreme nëse pala mund të jetë e pakënaqur me vendimin e PZAP-së. Periudha e ankesave është paraparë të përmbyllet deri më 31 janar, në mënyrë që më 2 shkurt të bëhet e mundur tërheqja e shortit për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e këtyre zgjedhjeve.

Anëtari i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje, Sami Kurteshi, ai i AAK-së, Ibrahim Selmanaj si dhe anëtari i Nismës Socialdemokrate, Eshref Vishi thanë se do të shfrytëzojnë të drejtën e ankesës në PZAP, por edhe në Gjykatën Supreme.

Rekomandimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës, është bazuar në vlerësimin e Gjykatës Kushtetuese, në dhjetor të vitit 2020, ku është thënë se sipas Ligjit për zgjedhje, asnjë person që ka dënim të plotfuqishëm në tre vjetët e fundit, nuk mund të kandidojë për zgjedhje të përgjithshme.

Sipas planit operativ të KQZ-së, gjithë procesi i certifikimit duhet të përfundojë më 31 janar.

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë