Gjykata Themelore në Pejë, ua ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve tri infermiereve të cilat dyshohen se kanë keqtrajtuar fizikisht një grua në Qendrën për të Moshuar në Pejë.
Gjatë ditës së mërkurë, ishin publikuar pamjet ku shihej e dyshuara kryesore Aurona Pelaj, teksa e godiste në fytyrë dhe në pjesën e barkut një grua të moshuar 70 vjeçare.
Një nga të dyshuarat shihet duke qeshur dhe duke qëndruar indiferente ndaj dhunës që shkaktohej ndaj gruas. Kurse tjetra ishte duke e gjiruar atë që ndodhte.
Prokuroria ndërkaq, ka kërkuar paraburgim prej 30 ditësh për të tri infermieret e dyshuara. Ndërkaq avokatët e tyre nuk kanë pranuar të flasin për media.
Ky rast ka ngjallur reagime të shumta, në Kosovë dhe po ashtu në Shqipëri. Krerët e institucioneve, partitë opozitare, shoqëritë civile e kështu me radhë kanë reaguar ashpër dhe kanë kërkuar dënim maksimal për vajzën që shihej teksa e godiste pa mëshirë gruan 70 vjeçare.
Po ashtu, është bërë e ditur se gruaja e keqtrajtuar ishte nënë e një dëshmori të luftës në Kosovë.