Departamenti i Përgjithshëm i Gjykatës Themelore në Prishtinë, i ka caktuar të pandehurit Durim Berisha, ish-këshilltar i kryeministrit Albin Kurti, masën e ndalimit për t’iu afruar në distancë prej 100 metrash të dëmtuarve Sami Fetahi dhe Tefik Fetahi, të cilët i pandehuri i ka miq (familjarë të gruas së tij).
Vendimi është marrë mbi kërkesën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, teksa i pandehuri Berisha akuzohet për kryerjen e veprave “Ngacmimi” dhe Detyrimi”, ndërsa kjo masë vlen deri më 31 maj të këtij viti.
Sipas aktvendimit, të siguruar nga Klankosova.tv, theksohet se për të pandehurin Berisha, ka dyshim të bazuar se në vazhdimësi ka kryer veprat penale “Ngacmimi” dhe “Detyrimi”.
“Në bazë të deklarimit të palës së dëmtuar dhe përmbajtjes së sms, ka rezultuar se i pandehuri në vazhdimësi ju ka dërguar të dëmtuarve mesazhet me përmbajtjet e cekura në dispozitiv të kësaj kërkese, fakt ky që vërtetohet edhe me shikimin e përmbajtjes së mesazheve….I njëjti e ka pranuar gjithashtu se e ka kontaktuar edhe Suhejb Fathain. Veprimet tij i pandehuri i ka arsyetuar duke thënë se ka dashur t’i sqarojë problemet pronësore me të dëmtuarit. Gjithashtu i pandehuri e pranon se të hënën (më datë 04.05.2026) ka planifikuar të takohet me të dëmtuarin Tefik Fetahi. Prandaj, duke marrë parasysh sms ku i pandehuri i shkruan të dëmtuarit: ‘Të hënën (me datë 4 maj 2026) me emër të Zotit, ko**t kom me ardhë me ti marr. Boni gati qe t’mos humbim kohë tu t’prite, tui bo gati masi t’vim na’. Është formuar dyshimi i bazuar se i pandehuri ka kryer veprat penale të cilat janë duke u hetuar”, thuhet në një pjesë të aktvendimit.