Loading…

Gjykimi për ish-krerët e UÇK’së ende nuk ka filluar, ishte paraparë që të fillonte në shtator të këtij viti

  • 06/11/2021 | 09:21

Gjykimi për ish-krerët e UÇK’së ende nuk ka filluar, ishte paraparë që të fillonte në shtator të këtij viti

Gjykimi për ish-krerët e UÇK-së ende nuk ka filluar ndonëse ishte paraparë që të fillonte në shtator të këtij viti. Ish-krerët e UÇK-së po vazhdohen të mbahen në paraburgim fiks qe një vit.

‘Para pak çastesh jam informuar nga njerëzit kompetent se gjykatësi i procedurës ka konfirmuar aktakuzën kundër meje’, kështu nisi dita fiks një vit më parë për ish-presidentin Hashim Thaçi.

Menjëherë pasi përfundoi konferencën e tij të fundit për media si shef i shtetit, mori rrugë drejt zyrave të Eulexit në Fushë Kosovë.

Aty pak më vonë do i bashkohej edhe ish-bashkë partiaku i tij në PDK, Kadri Veseli, që nuk u deklarua për media, dhe ish-shefi i grupit parlamentar të LVV-së, Rexhep Selimi.

Nga zyrat e misionit të BE-së për sundim të ligjit, të tre ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën të njëjtën rrugë.

Me 7 vetura zyrtare të EULEX, ata u dërguan në pjesën e aeroportit ndërkombëtar të Prishtinës, që kontrollohet nga KFORI.

Nën shoqërimin e policëve të ZPS-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli e Rexhep Selimi u vendosen në një aeroplan privat dhe menjëherë u transferuan në Qendrën e Paraburgimit në Hagë të Holandës.

Kjo tronditi skenën politike në Kosovë, në krye të së cilës u vendos Vjosa Osmani, si ushtruese e detyrës së Presidentes.

Vetëm një ditë më vonë, shtëpitë e tre të arrestuarve u bastisen për orë të tëra nga njësitet policore të Eulex dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar.

Brenda javës, Thaçi, Veseli e Selimi bënë edhe paraqitjen e parë para gjykatësit të procedurës paraprake.

Siç edhe tha para nisjes për në Hagë, Selimi zgjodhi të flasë nga salla e gjyqit. Njëjtë si ky, edhe Thaçi e Veseli u deklaruan të pafajshëm për të gjitha akuzat për krime lufte që rëndojnë mbi ta nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Që nga 5 nëntori i vitit 2020, Thaçi, Krasniqi, Selimi e Veseli po mbahen në paraburgim pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Për të katërtit është refuzuar disa herë kërkesa për lirim me kusht, derisa gjykatësi paraprak i procedurës ka kërkuar garancë edhe nga Policia e Kosovës për mbikëqyrjen e ish-krerëve të UÇK-së nëse mbrohen në liri.

Gjatë kësaj kohe në Kosovë dy herë erdhi Kadri Veseli, veçse arsyeja e vizitës nuk ishte e mirë.

Njëherë vizitoi babain e tij në spital, e herën tjetër erdhi për t’i qëndruar afër familjes kur babai i tij ndërroi jetë.

Për vizitë në Hagë këtë vit shkoi edhe një delegacion i Ministrisë së Drejtësisë, por këta u priten vetëm nga Selimi e Krasniqi, pasi Thaçi e Veseli nuk pranuan t’i takojnë.

Sidoqoftë, gjykimi për ish-krerët e UÇK-së ende nuk ka filluar ndonëse ishte paraparë që te fillonte në shtator të këtij viti.

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë