Loading…

Gjyqi i rastit të polices që vrau familjarët: Nuk kam vërejtur sjellje jo të rregullt të saj

  • 14/10/2021 | 16:08

Gjyqi i rastit të polices që vrau familjarët: Nuk kam vërejtur sjellje jo të rregullt të saj

Dëshmitari Abedin Kadriu, zyrtar i analizave të inteligjencës në Gjilan thotë se nuk kishte vërejtur ndonjë sjellje jo të rregullt të tani të ndjerës Valdete Bllaca dhe se nuk i kujtohet se kur e kishte dorëzuar armën ajo.


Këtë deklarim, dëshmitari Kadriu e ka dhënë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan, ku është mbajtur shqyrtimi gjyqësor ku po akuzohet përgjegjësi i ruajtjes së armëve në Stacionin Policor në Gjilan, Xhavit Azizi, në rastin ku policja kishte marrë armën dhe më pas kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit dhe veten.

Dëshmitari Kadriu ka thënë se mbetet pranë deklaratës së dhënë në polici dhe Prokurori dhe se në ditën kritike ka qenë në punë dhe se para zyrës i kishte vrejtuar shumicën e eprorëve të stacionit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas Kadriut, zyra ka qenë e mbyllur ashtu që i kishin thënë të mos e hapë zyrën sepse nuk ka të drejtë dhe shton se aty e kishte marrë vesh se çfarë kishte ndodhur.

Tutje, dëshmitari ka thënë se zyrën në atë kohë e kishte në katin e tretë dhe se përballë e kishte zyrën e komunitetit.

“Në zyrë kam qenë i caktuar vetëm, mirëpo në zyrën time ka qenë edhe një sirtar i hekurit, i ndarë në disa pjesë, secila me çëlës të ndarë, po ashtu atë sirtar nuk e kam menaxhuar, por te ai sirtar ka qenë i ngarkuar Xhavit Azizi”, ka thënë ai.

Dëshmitari Kadriu vazhdoi deklaratën duke thënë se çëlësat e zyrës i kishte komandanti i stacionit dhe shefi i personelit.

“Para se me ndodhë rasti unë kam qenë në pushim mjekësor një javë, pas ardhjes në punë e kam vërejtur që dera ka qenë e hapur, mirëpo nuk e di se a e kam harruar unë apo ka qenë dikush tjetër, nuk e di. Po ashtu, nuk e kam vërejtur nëse ka pasur ndonjë gërvishtje”, deklaroi Abedin Kadriu.

I pyetur nga prokurori Isuf Sadiku se a e kishte njohur tani të ndjerën Valdete Bllaca dhe çfarë raporti kishte me të dhe me të akuzuarën, dëshmitari tha se e kishte njohur Valdeten, por nuk kishte raport me të, vetëm se e dinte që ka punuar në stacion.

Ndërsa, lidhur me të akuzuarin, dëshmitari Kadriu tha se me të kishte raport kolegial ngase punonin në të njëjtin kat dhe nganjëherë kishin pirë edhe kafe.

Tutje, dëshmitari tha se zakonisht kur kanë shkuar zyrtarët policorë në pushime kanë pasur për detyrë që armët t’i dorëzojnë në stacion, po ashtu kjo kishte vlejtur edhe për zyrtarët policorë që e kanë pasur të ndaluar që t’i bartin armët, por thekson se nuk i kujtohet se tani e ndjera kur e ka dorëzuar armën.

Ai ka thënë se para se të ndodhë rasti, tani e ndjera Valdete kishte punuar me rroba civile, mirëpo nuk kishte pasur njohuri që ajo ka pasur probleme psiqike, ngase e njëjta ka qenë edhe e dobët me shëndet dhe thotë se kishte menduar që ka ndonjë sëmundje tjetër kronike,

“Nuk kam vërejtur ndonjë sjellje jo të rregullt të saj”, tha dëshmitari.

Lidhur me pyetjen e anëtarit gjykues, gjyqtarit Islam Thaçi se kush e ka zëvendësuar Xhavitin kur ka munguar, dëshmitari ka thënë se e kanë zëvendësuar kolegët me të cilët ka punuar në zyrë.

Po ashtu, Kadriu deklaroi se është e vërtetë që përveç Xhavitit, ka pasur raste që gjatë kohës sa ka qenë në pushim Xhaviti kanë ardhë në zyrë për pranim-dorëzim të armëve edhe kolegët e tjerë mirëpo nuk e di se ku i kanë marrë çelësat.

Mbrojtësi i të akuzuarit Xhavit Azizi, avokati Fadil Sinani, në këtë fazë të procedurës i ka propozuar gjykatës që në cilësinë e dëshmitarit të dëgjohet Negovan Mihajlovic, shef i opertativës pasi që i njëjti kur ka munguar Xhaviti në punë për shkak të pushimeve i ka poseduar çelësat e zyrës së inteligjencës, po ashtu propozoi Fahredin Jahium, që ka punuar me të ndjerën Valdete Daka.

Propozimet e mbrojtësit të akuzuarit nuk u kundërshtuan nga prokurori Sadiku.

Tutje, kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Sabedin Mushica e ka aprovuar pjesërisht propozimin e mbrojtjes, duke e pranuar dëgjimin e dëshmisë së dëshmitarit Negovan Mihajlovic, ndërsa refuzoi që në cilësinë të dëshmitarit të dëgjohet Fahrendin Jahiu, sepse gjykata e konsideron si të parëndësishme lidhur me këtë rast.

Duke marrë parasysh, se nuk kishte kushte ligjore për vazhdimin e shqyrtimit gjyqësor, në mungesë të dëshmitarit Alban Ramushi, seanca është shtyrë për datë 24 nëntor.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjilan më 5 janar 2021 ka ngritur aktakuzë kundër Xhavit Azizit, sepse i njëjti nga 7 korriku 2017 deri më 18 shkurt 2020, si zyrtar i personelit në Stacionin Policor në Gjilan – përgjegjës për ruajtjen e armëve të zyrtarëve policorë, ka mbajtur çelësin e sirtarit metalik ku janë mbajtur armët, e në të cilin sirtar është mbajtur edhe arma zyrtare e zyrtares policore Valdete Bllaca, ashtu që duke mos i ndërmarrë veprimet e domosdoshme, të cilat ishte i detyruar t’i ndërmerrte, tani e ndjera, zyrtarja policore Valdete Bllaca, i ka fotokopjuar çelësat e zyrës dhe sirtarit metalik dhe nga aty e ka marrë armën e vet zyrtare të llojit “Gllock”, e cila armë i është sekuestruar për shkak të gjendjes shëndetësore psikike më 18 shkurt 2020, e me të cilën armë në shtëpinë e saj kishte vrarë prindërit, dy vëllezërit edhe veten.

Me këto veprime, ai ka kryer veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 414, paragrafi 3, nënparagrafi 3.2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme deri në 8 vjet burg. /BetimipërDrejtësi

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë