Policia e Kosovës ka njoftuar se është goditur rrjeti i trafikut të drogës në Ferizaj ku është sekuestruar sasi e konsiderueshme marihuane dhe është arrestuar një person, transmeton Gazeta Metro.
Gjatë zbatimit të planit taktik bëhet e ditur në njoftim se rreth orës 12:20, në rrugën Prishtinë–Prizren, në Llapushnik është ndaluar për kontroll një automjet me targa vendore, ku gjatë kontrollit është gjetur një pako që përmbante substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë.
“Lidhur me rastin, në vendin e ngjarjes është arrestuar një person i dyshuar, i cili me vendim të prokurorit kujdestar është ndaluar për 48 orë”, thuhet në njoftim.
Si prova materiale janë sekuestruar mbi 1 kilogram substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një telefon mobil./gazetametro.net