Protagonist në golin e dytë, realizoi një të jashtëzakonshëm dhe asistoi në një tjetër. Me pak fjalë, Granit Xhaka ishte thjesht i papërmbajtshëm në ndeshjen e parë të ciklit kualifikues për ‘EURO 2024’ kundër Bjellorusisë, transmeton Gazeta Metro.
Në sfidën e zhvilluar në ‘Karadorde’ në Novi Sad, mesfushori me origjinë nga Kosova bëri një paraqitje të shkëlqyer.
Ai u zëvendësua në minutën e 66’të pasi me gjasë as përzgjedhësi, Murat Yakin, nuk dëshironte të rrezikonte mesfushorin që po shkëlqen këtë edicion.
Falë një kundërshtari jo aq të fortë, paraqitjes së Xhakës dhe pa harruar tre golëshin e Renato Steffen ‘helvetikët’ triumfuan 0-5.
Nga faqja e specializuar e statistikave ‘Sofa Score’ futbollisti i Arsenal u vlerësua me notën (8.4), njëherazi me notën e dytë më të lartë në ndeshje.
Fillimisht, Xhaka ishte protagonist në golin e dytë kur goditjen e tij nuk mundi ta kapë portieri bjellorus, Andrei Kudravets, dhe nga topi i kthyer përfitoi Steffen. (VIDEO).
Në pjesën e dytë, saktësisht në minutën e 62’të ai plasoi një goditje të fortë nga distanca ku nuk i la gjasa këtë herë as t’i afrohet gardianit të Bjellorusisë. (VIDEO).
Për të përmbyllur paraqitjen e shkëlqyeshme në tokën e Serbisë, u përkujdes pas tre minutave kur pasoi në mënyrë brilante te Zeki Amdouni, i cili pastaj realizoi për golin e pestë dhe të fundit. (VIDEO).
Gjithashtu, kapiteni i Zvicrës bëri 53 prekje të topit, 41 pasime (85% i saktë), tre pasime kyçe, tre topa të gjatë (100% i saktë).
Ai nuk fitoi asnjë duel në fushë nga katër sa pati, megjithatë bëri një spastrim dhe një ndërprerje të aksionit.
Ndryshe, me këtë fitore Zvicra tani gjendet në pozitën e parë në grupin I, grup në të cilin është edhe Kosova që barazoi 1-1 kundër Izraelit. /gazetametro.net