Loading…

Grenell është kontravers, por Borrell dhe Lajcak janë rrezik

  • Nga

  • SHKODRAN RAMADANI

  • 08/03/2020 | 17:00

Grenell është kontravers, por Borrell dhe Lajcak janë rrezik

Në planprogramin e Qeverisë që u publikua këto ditë edhe zyrtarisht u institucionalizua përpjekja për të penguar përfshirjen e ShBA-së në dialog. Në dokument shkruhet se partnerët e koalicionit “se do të bëhet rishikimi i plotë i marrëveshjeve të arritura deri më tani me qëllim të analizimit të zbatimit të tyre nga ana e Serbisë, e se në bashkëpunim me BE-në këto çështje do të shtrohen në dialog.”


Shkruan: Shkodran Ramadani

Ky është hapi i fundit në serinë e përpjekjeve të Qeverisë së Kosovës që dialogu të rienergjizohet edhe njëherë përbrenda matricës së BE-së e jo të zhvendoset në Washington, ku ShBA-ja nuk do të ishte vetëm ndërmjetësuese e dialogut, por edhe përmbajtësuese e tij. Ky orientim është artikuluar në disa nivele. I pari është fakti që ShBA-ja udhëhiqet nga një administratë me personel kontravers, të korruptuar, arbitrar dhe të paparishikueshëm.

Ministri për Integrime Evropiane Blerim Reka bëri një listë historike të vendimeve dhe kërkesave të gabuara që ShBA-ja ka bërë në dëm të interesave të shqiptarëve. Një këshilltar i Kryeministrit, ngriti çështjen e përfaqësimit dhe tha se “Amerika s’është një ambasador”, duke harruar se të njëjtin argument mund ta përdorim edhe për Kurtin, duke thënë se “Kurti nuk është Kosova”.

Argumenti më i qëndrueshëm për të ngritur pikëpyetje rreth dialogut Kosovë-Serbi në kuadër të Shtëpisë së Bardhë është fakti që po anashkalohet Qeveria si dialoguesja kryesore. Duke bashkëpunuar vetëm me Presidentin dhe duke mbajtur larg Qeverinë Kurti, ShBA-ja rrezikon që të zhvillojë një dialog me krizë të legjitimitetit. Madje ngritë dilema edhe rreth kushtetushmërisë së tij. Transparenca e munguar vetëm sa i vështirëson gjërat.

Këto arsye së bashku përbëjnë një narrativë që argumenton se dialogu duhet të jetë brenda formatit të BE-së e jo në duart e ShBA-ve. Mirëpo argumentet më bizarre janë pretendimet se “për shkak që Grenell nga disa mediume kredibile konsiderohet si kontravers e gënjeshtar, ai nuk është adresë e qëndrueshme për një dialog të mirë e transparent”.

Ka shumëçka të vërtetë për profilin e Grenell dhe për këtë kam shkruar para më shumë se një viti. Grenell është impulsiv dhe zgjatimi gati natyral i Presidentit Trump dhe kjo e bën dialogun jo edhe aq konvencional. Mirëpo një vëmendje e tillë po përqendrohet vetëm në zyrtarët amerikanë të shtetit në një kohë kur as zyrtarët evropianë nuk qëndrojnë më mirë në reputacion. As burokracia e Brukselit më nuk popullohet e nuk drejtohet nga politikanë me kredibilitet e integritet të lartë moral e politik.

Të nisemi nga Ursula Von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, institucionit më evropian për shkak të natyrës së tij supranacionale. Dikur ministre në tri dikastere shtetërore, Von der Leyen në Gjermani nuk vlerësohet si ndër më të mirat në kabinetet e Merkel. Madje si Ministre e Mbrojtjes, ajo vlerësohet si ndër më të dobëtat.

Më e keqja, ajo është nën hetime në Bundestag për korrupsion. Një projekt për të renovuar një anije lufte kushtoi 10 herë më shumë sesa ishte planifikuar. Në vitin 2015, 100 milionë euro u ishin dhënë të kontraktuarve të jashtëm, por vetëm 2.2 milionë euro ishin deklaruar. Në vitin 2016, 150 milionë euro ishin shpenzuar, kurse vetëm 2.9 milionë euro ishin deklaruar. Këta tenderë u ishin dhënë kompanisë ku punon i biri i Von der Leyenit.

Mirëpo Von der Leyen nuk është as më e keqja e as më problematikja për situatën në të cilën është Kosova. Josep Borrell, ish-Ministri i Jashtëm i Spanjës, tani Përfaqësues i Lartë për Marrëdhënie me Jashtë dhe Politika të Sigurisë në BE, ishte detyruar të dorëhiqej si President i Institutit të Universitetit Evropian për konflikt interesi dhe u përball me thirrje për dorëheqje nga qeveria pasi u dënua me 30 mijë euro për keqpërdorime financiare. Borrell është akuzuar shpesh edhe si simpatizues i Iranit.

Nga këndvështrimi i Kosovës, Borell nuk është pasardhësi ideal i Mogherinit. Në mars të vitit të kaluar, në një takim me Presidentin Aleksandar Vuçiq, Borrell tha se “Spanja është kategorikisht kundër pavarësisë së shpallur në mënyrë të njëanshme sepse shkëputja e territorit është në kundërshti me parimet e ligjit ndërkombëtar.”

Sigurisht, në detyrën e re ai nuk do të mund të zbatojë politikën e Spanjës, por kjo tregon për prirjet dhe profilin e tij që do të ndikojë në politikën e BE-së për aq sa të jetë e mundur. Paralelja me Javier Solanën nuk qëndron sepse misioni i Solanas nuk ishte në kundërshtim me politikën e Spanjës, që ishte pjesë e fushatës së bombardimeve mbi Serbinë. Në asnjë rrethanë Solana nuk u detyrua të zgjedh mes Kosovës dhe Spanjës.

Ndërkohë Borrell është në një situatë ku duhet të ndjekë një politikë që nuk është në vijë me qëndrimin e Spanjës për Kosovën. Spanja është nga kundërshtaret më të ashpra të pavarësisë së Kosovës dhe është e vendosur që nuk do ta njeh deri sa të arrihet marrëveshje me Serbinë. Mirëpo deri atëherë, Spanja mban anën e Serbisë dhe kjo do të hijëzohet në aktivitetin e Borrellit.

E njëjta vlen edhe për Miroslav Lajcak, i dërguari special i BE-së për dialog mes Kosovës dhe Serbisë që vjen nga Sllovakia, një tjetër shtet që nuk e njeh Kosovën.

Lajcak njihet si figurë që vendosë interesin personal mbi atë të institucionit që përfaqëson. Ai kishte lënë detyrën e tij si Përfaqësues i BE-së në Bosnjë sepse nuk kishte mundur ta refuzojë ofertën e Robert Ficos, atëherë kryeministër i Sllovakisë.

BE-ja sot politikën e jashtme ua beson figurave që vijnë nga vendet që nuk e njohin Kosovën në një kohë kur politikat nacionale të shteteve anëtare janë më të fuqishme se vizioni i përbashkët i BE-së. E ky fakt nuk mund të injorohet.

Pra përkundër faktit që Grenell është kontravers, BE-ja sot udhëhiqet nga zyrtarë edhe më kontraversë, edhe nga politikanë që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës. Nëse ia shtojmë kësaj edhe mbështetjen në zbehje nga ana e BE-së për Kosovën në vitet e fundit, duket se rruga e Washingtonit është më e sigurt se ajo e Brukselit.

(Autori Shkodran Ramadani, është kolumnist i rregullt dhe ky artikull është shkruar enkas për Gazeta Metro)

Më të fundit
Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë