Loading…

Greqia kërkon nga kreditorët të lirohet nga borxhi

  • 22/05/2017 | 15:24

Greqia kërkon nga kreditorët të lirohet nga borxhi

Greqia sot i ka bërë thirrje kreditorëve të vet BE dhe FMN, që të marrin masa për “shkarkimin e saj nga borxhi” sepse Athina “i ka kryer obligimet e veta” ndaj tyre, duke marrë masa të reja të kursimit.


Para takimit të ministrave të financave në Bruksel, Greqia shpreson se do t’i lejohet pagesa e ndihmës së ardhshme financiare, dhe se, para se gjithash në mënyrë të qartë do të angazhohen për marrjen e masave të cilat do të lehtësojnë pagesën e borxhit shumë të madh publik prej 179 për qind të bruto prodhimit vendor të saj.

“Me marrjen e masave të reja në Kuvend, vendi ynë i ka plotësuar të gjitha kushtet, dhe në kohë”, ka thënë ministri grek i financave Euclid Tsakalotos në deklaratën të cilën e citon agjencia shtetërore ANA, përcjell gazetametro.net.

“Nuk ka arsyetim për zvarritje të çështjes së lehtësimit të borxhit”, ka shtuar ai.

Kuvendi i Greqisë të enjten ka pranuar masat e reja të kursimit në shumë prej 4.9 miliardë euro, të cilat kreditorët i kanë  kërkuar Greqisë për të lejuar pagesën e këstit të kredisë së ndihmës ndërkombëtare prej 7 miliardë euro, dhe se Greqia më 20 korrik do t’i kthej Bankës Qendrore Evropiane (BQE)  katër miliardë euro, ndërsa dy miliardë investitorëve privatë.

“Tani vendimet janë në duart e institucioneve për të na mundësuar qasje “lehtësimit kuantitativ” (nëpërmes të blerjes së borxhit nga BQE) dhe kthimin tonë  në tregti të letrave me vlerë”, ka thënë ministri Tsakalotos.

Thirrja e kryeministrit Alexis Tsipras për shkarkim të borxhit ka hasur në rezistencë të fortë të Gjermanisë e cila po përgatitet për zgjedhjet e përgjithshme në shtator të këtij viti. Përkundër kësaj, FMN po angazhohet për lehtësime.

Burimet e informuara thonë se FMN dhe vendet e eurozonës po i afrohen kompromisit i cili do të mundësojë arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse e cila do t’i lejojë Greqisë të kthehet në tregun e letrave me vlerë në vitin 2018. /gazetametro.net

 

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë