Loading…

Greqia, mes raportimeve mediale për njohjen e Kosovës dhe mohimeve zyrtare

  • 05/06/2021 | 23:05

Greqia, mes raportimeve mediale për njohjen e Kosovës dhe mohimeve zyrtare

Greqia kohëve të fundit ka qenë temë kryesore e raportimeve nga mediet e Ballkanit Perëndimor sa i përket çështjes së njohjes së pavarësisë së Kosovës, por një gjë e tillë po vazhdon të mohohet nga Greqia zyrtare, ndonëse jo kategorikisht siç ka ndodhur me parë, shkruan Gazeta Metro.


Ishin fillimisht mediat serbe ato që thanë se presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden po bën presion mbi Greqinë për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Ideja është të ‘dobësohet’ pozicioni i Serbisë me “njohjen greke” dhe të tregohet që pavarësia e Kosovës është punë e kryer. Ekspertët paralajmërojnë gjithashtu se në rast se Greqia i nënshtrohet presionit të SHBA’ve dhe e njeh Kosovës, kjo do të nënkuptojë shkelje të marrëveshjes së Washingtonit, pas së cilës Serbia mund dhe duhet të fillojë fushatën e çnjohjeve”, thuhej në artikullin e portalit serb, ‘Vesti Online’.

Mediet serbe: SHBA’të po bëjnë presion mbi Greqinë që ta njohë Kosovën para rifillimit të dialogut

Por, mundësia e njohjes së pavarësisë së Kosovës u mohua nga Ministria e Punëve të Jashtme e Greqisë në disa përgjigje për Gazeta Metro. Ata thanë se përkrahin Kosovën në rrugën euro-atlantike, por së nuk kanë ndryshuar qëndrim për njohjen e pavarësisë së Kosovës.

“Siç e dini shumë mirë, Greqia nuk e njeh Kosovën dhe pozicioni i saj mbetet i pandryshuar. Në të njëjtën kohë, dihet që Greqia ka ndjekur një qasje konstruktive ndaj Prishtinës,  që nga viti 2019 ku ka edhe një “Zyre të Tregtisë dhe Çështjeve Ekonomike të Kosovës në Athinë” dhe punon me Kosovën për avancimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme. Në këtë drejtim, duke synuar avancimin e mëtejshëm të bashkëpunimit tonë dypalësh dhe lehtësimin e funksionimit të Zyrës, pa implikuar aspektet e lidhura me statusin, kjo zyrë është riemëruar si “Zyra e Interesave të Kosovës në Athinë”. Ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, Z. Dendias, bëri një vizitë në Prishtinë tetorin e kaluar, duke i dhënë një shtysë bashkëpunimit dypalësh, duke vënë theksin në fushën ekonomike, përfshirë tregtinë dhe energjinë. Me qëllim të zgjerimit të mëtejshëm të këtij bashkëpunimi, pikat e kontaktit u emëruan d.m.th. Zëvendës Ministri i Jashtëm Z. Fragoyannis dhe homologu i tij, në atë kohë, Zëvendës Ministri i Jashtëm Z. Brajshori dhe patën një telekonferencë. Si vazhdim, Forumi i 4-të i Biznesit Greqi-Kosovë u mbajt në 20 Prill, praktikisht, për shkak të krizës shëndetësore”, thuhej në përgjigjen e MPJ’së greke për Gazetën Metro.

MPJ e Greqisë për Gazeta Metro: Qëndrimi për njohjen e Kosovës mbetet i pandryshuar, e mbështesim liberalizimin e vizave

Por, gjatë vizitës së ministrit të jashtëm të Greqisë në Kosovë, Nikos Dendias, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani ia kërkuan njohjen e Kosovës këtij të fundit, por përgjigja e kryediplomatit helen ishte se Greqia do t’i ofrojë përkrahje Kosovës, por nuk tha asnjë fjalë për njohjen.

“Kryeministri Kurti e njoftoi se takimi në Bruksel do të jetë për dialogun e ardhshëm që duhet të jetë parimor, e ku Kosova do të trajtohet palë e barabartë. Ai përsëriti kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shteti helen dhe theksoi rëndësinë që ka liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës. Ministri i Jashtëm Dendias tha se Greqia vazhdimisht avokon për liberalizmin e vizave dhe se do të përkrahë e ta ndihmojë Kosovën në rrugën europiane dhe euro-atlantike”, thuhet në komunikatën e Zyrës për media të Kryeministrit për takimin Kurti – Dendias.

Njëlloj me Dendias ka vepruar edhe presidentja Osmani. Në njoftimin për media të Presidencës thuhet se Osmani i ka theksuar Dendias marrëdhëniet e mira midis dy vendeve dhe ka potencuar se njohja e Kosovës nga Greqia do t’i thellojë edhe më tej marrëdhëniet bilaterale e multilaterale midis dy vendeve.

Ndërkaq ministri Dendias i ka dhënë mbështetje Kosovës në rrugën evropiane, sikurse edhe në procesin e liberalizimit të vizave.

Kurti e Osmani ia kërkojnë njohjen kryediplomatit grek, sikur Greqia të ishte duke pritur lejen për ta njohur Kosovën

Gjatë ditës së djeshme, në media është raportuar se interesi ekonomik që ka shteti grek në gazin amerikan dhe ndërtimin e një teminali lundrues të gazit natyror të lëngshëm që do t’i shërbente për të shpërndarë gaz mund të çojë në njohjen e Kosovës nga Greqia.

Burime Perëndimore, të përfshira në projektin LNG në Greqi dhe me diskutimet e vazhdueshme me autoritetet e Kosovës për një termocentral me gaz, i kanë thënë agjencisë së lajmeve dtt-net.com se mund të ketë një lidhje mes projektit të gazit dhe marrëdhënieve të Greqisë me Kosovën në të ardhmen, gjë që mund të çojë në ndryshimin e qëndrimit grek dhe të njohë Kosovën.

Gazi amerikan mund ta detyrojë Greqinë ta njohë Kosovën

Ndërsa sot, gazeta e mirënjohur greke “Kathimerini” i ka kushtuar një shkrim raporteve Kosovë-Greqi pas vizitës së shefit të diplomacisë greke në Athinë.

Përmes shkrimit të gazetarit Vassilis Nedos, të titulluar “Zgjerohen raportet Greqi-Kosovë”, gazeta vë theksin tek intensifikimi i marrëdhënieve mes dy vendeve, ku hapi i pari ka të bëjë me zgjerimin e aktivitetit të Zyrës së Tretisë dhe Çështjeve Ekonomike që Kosova ka në Athinë.

Prestigjiozja greke: Po intensifikohen raportet Greqi – Kosovë

Mbetet të shihet nëse Greqia do të njohë pavarësinë e Kosovës ose raportimet në media do të mbesin vetëm në rrafshin e spekulimeve dhe mundësive që rrjedhin nga intensifikimi i marrëdhënieve të mira midis dy shteteve, por lidhur me këtë temë gjatë ditës së djeshme është shprehur i brengosur edhe presidenti serb, Aleksander Vucic i cili tha se nuk pret që Greqia ta njohë Kosovën sepse sipas tij do të ishte një gabim. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë