Ministrja e Integrimit Evropian, Mimoza Ahmetaj priti në takim informues Ambasadoren e Greqisë në Kosovë, Constantina Athanassiadou.
Ahmetaj, falënderoi ambasadoren Athanassiadou për ndihmën e vazhdueshme që ka ofruar Greqia për vendin tonë. Po ashtu, edhe për gatishmërinë për të përkrahur përfshirjen e Kosovës në nismat rajonale dhe ndërkombëtare në mënyrë që Kosova të jetë plotësisht e integruara në çështjet rajonale dhe ndërkombëtare.
“Me këtë rast u diskutua avancimi me agjendën evropiane të Kosovës, respektivisht, procesi i krijimit të strukturave institucionale dhe zbatimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, Agjenda Evropiane e Reformave, programet e BE-së dhe finalizimi i procesit të liberalizimit të vizave. Në takim, ministrja Ahmetaj shfaqi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit bilateral mes Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë, jo vetëm në fushën e integrimit, por edhe në kuadër të bashkëpunimit bilateral dhe nismave rajonale”, thuhet në njoftimin për media të MIE-së.
Sipas njoftimit, ambasadorja Athanassiadou, nënvizoi përkushtimin e vazhdueshëm të Greqisë dhe ndihmën e parezervë në rrugën integruese të Kosovës dhe ofroi mbështetjen e vazhdueshme në kuadër të reformave konkrete në fusha të ndryshme.