Drejtuesi i VMRO – DPMNE Nikolla Gruevski ka thënë sot se nuk do të pranoj dy prej kushteve që ka nxjerrë Ali Ahmeti për një bashkëqeverisje.
Përmes një njoftimi për media, Gruevski citohet të ketë thënë se nuk pranon shtrirjen e gjuhës shqipe në gjithë Maqedoninë dhe as zgjatjen e mandatit të Prokurorisë Speciale.
“Koalicioni me 25 parti ‘Për një Maqedoni më të mirë’, udhëhequr nga VMRO-DPMNE konfirmon se shtrirja e dygjuhësisë në gjithë territorin e vendit dhe zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale nuk negociohen”, thuhet në deklaratën e VMRO-DPMNE.
Në deklaratë thuhet se kjo parti është e gatshme që të heqë dorë nga pushteti dhe nuk pranon këto dy kushte, duke këmbëngulur se sanksionimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare në gjithë Maqedoninë në Kushtetutë nuk do të pranohet dhe as zgjatja e mandatit të Prokurorisë Speciale për përgjimet, që e konsideron të jashtëligjshme, transmeton tch.
“Kjo prokurori nuk ka të bëjë me drejtësinë. Është një instrument në duart e një grupi njerëzish që përdoret për të shantazhuar politikanët që luftojnë për interesat kombëtare të Maqedonisë”, thuhet në deklaratë.
Më herët, Kryesia Qendrore e BDI-së doli me një deklaratë me katër kushte të panegociueshme për formimin e qeverisë. Së pari, BDI radhit përdorimin e barabartë dhe zyrtar të gjuhës shqipe, integrimin në NATO, integrimin në BE dhe vazhdimin e mandatit të Prokurorisë Speciale.