Loading…

Grupi i 5 OJQ’ve akuzojnë komunën e Mitrovicës për shkelje në tenderin me vlerë 4 milionë euro

  • 23/10/2019 | 15:06

Grupi i 5 OJQ’ve akuzojnë komunën e Mitrovicës për shkelje në tenderin me vlerë 4 milionë euro

Një grup prej pesë organizatave joqeveritare në Mitrovicë, kanë akuzuar këtë komunë për shkelje sa i përket tenderit me vlerë katër milion për projektin “Qendra e riciklimit industrial për mbeturinat paraprakisht të klasifikuara ose të përziera”, transmeton Gazeta Metro.


Në lidhje me këtë rast, këto OJQ kanë bërë thirrje ndaj Prokurorisë së Shtetit që të hetojë këtë tender për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

Kenan Beqiri, nga organizata “Community Building Mitrovica” në një konferencë për media ka deklaruar në lidhje me shkeljet që janë bërë nga komuna e Mitrovicës në këtë tender, për të cilat tha se nuk i ka shmangur as Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP).

“Në këtë tender kemi pasur disa shkelje që janë bërë nga Komuna e Mitrovicës dhe të cilat nuk janë evidentuar as nga Organi Shqyrtues i Prokurimit. Këto shkelje kanë bërë që një operator ekonomik të eliminohet nga gara dhe t’i pamundësohet ankesa, ndërkohë që Komuna e Mitrovicës e ka shpërblyer me kontratë operatorin e vetëm që ishte në garë…Shkeljet që janë bërë në këtë tender janë, afati më i shkurtër për dorëzim të ofertave, korrigjimet e vonuara në dosjen e tenderit, për të cilat Ligji kërkon që i gjithë tenderi të anulohet, pamundësimi i ankimimit, pranimi i ofertave në gjuhë që nuk janë zyrtare në Kosovë, si dhe vendimi i OSHPS’së që nuk ishte i bazuar në fakte”, ka thënë Beqiri.

Në anën tjetër, Erzen Isufi nga orgnizata “7 Arte”, ka folur për vendosjen e afatit për dorëzim të tenderëve dhe korrigjimin e gabimeve që kjo komunë i bëri në kundërshtim me rregullat dhe udhëzuesit operativ për Prokurimin Publik.

“Vendosja e afatit për dorëzim të tenderëve është bërë në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, i cili përcakton se për kontratat e mëdha, afati i dorëzimit të ofertave duhet të jetë minimumi 40 ditë nga data e publikimit të njoftimit për kontratë. Shkelje janë evidentuar edhe me rastin e korrigjimit të gabimeve. Komuna e Mitrovicës kishte bërë dy korrigjime të gabimeve. Korrigjimi i parë ishte publikuar më datë 18 qershor, vetëm dy ditë para datës së fundit për dorëzim të ofertave që ishte 20 qershori”, theksoi Isufi.

Kurse antarja e grupit monitorues, Gentiana Zeqiri, ka bërë thirrje për Prokurorinë e shtetit që të hetojë këtë tender, për të parë nëse ka elemente të veprës penale.

“Ne i bëjmë thirrje KRPP-së, Auditorit të Përgjithshëm dhe Agjencisë kundër korrupsion, që të monitorojnë në fund projektin final për të parë nëse është realizuar në përputhje me kushtet e kontratës. Gjithashtu, i bëjmë thirrje Prokurorisë së shtetit që të hetojë këtë tender për të parë nëse ka elemente të veprës penale”, u shpreh Zeqiri.

Organizatat pjesëmarrëse në këtë konferencë të cilat kanë raportuar në lidhje me këtë çështje janë: Community Building Mitrovica (CBM), Mundësia, 7 Arte, Civil Development Organisation (CDO) dhe Iniciativa Qytetare nga Skenderaj. /gazetametro.net

Të tjera
Materialet në dispozicion në këtë faqe janë pronë e portalit Gazeta Metro. Ato janë të mbrojtura në bazë të së drejtës së autorit sipas ligjeve në fuqi. Ju mund të përdorni këtë faqe interneti, dhe materialet e kësaj faqeje, për përdorimin tuaj personal, jo-komercial, me kushtin që të mos cënoni të drejtën e autorit.

Privacy Policy
Kontakti:
Tel: +383 49 576 111
e-mail: [email protected]
[email protected]
Adresa: Rr. Tringë Smajli, Nr. 16
Prishtinë 10000
Kosovë