Pas mbylljes së grupit të parë, tjetër grup në Facebook i ‘me kryeministrin’, ka filluar linçimet ndaj mediave. Deputetja e Vetëvendosjes (VV), Fitore Pacolli, i ka dalë në përkrahje këtyre linçimeve brenda grupit, shkruan Gazeta Metro.
Me anë të një shkrimi në Facebook, Pacolli akuzoi mediat se kanë punuar që ky grup të mbyllet.
Gjithashtu, ajo e reklamoi pak grupin e ri i cili është rihapur.
“Vajzat dhe djemët që krijuan grupin #meKryeministrin arritën ti bëjnë disa nga portalet të shkruajnë për ta në çdo të dytin postim e të festojnë sepse paskan arritur t’ia mbyllin grupin. Por, Grupi i ri “me Kryeministrin” paska vendosur të kthehet fuqishëm. Për pak orë iu paskan bashkëngjitur mbi 10.000 ndjekës”, shkruan Pacolli.
Ndërsa Berna Ibrahimi, një ndër administratorët e këtij grupi, ka shkruar aty duke thënë se për mbylljen e grupit paraprak janë gëzuar ish-regjimi, duke përmendur edhe media e gazetar.
Më herët në Facebook ishte grupi ‘Me Kryeministrin’, ku ishin mbledhur mbi 300 mijë mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti, tani nuk gjendet më askund.
Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së VV’së, Fitore Pacolli, është njëri nga administratorët e këtij grupi. Ai e mban ende në profilin e tij në Facebook linkun e grupit, i cili aktualisht nuk hapet.
Sipas Facebook’ut, ky grup nuk është i disponueshëm momentalisht pasi krijuesit mund ta kenë ndarë atë vetëm me një grup të vogël njerëzish ose është fshirë tërësisht.
Të hënën, një grup i ri, i quajtur po njësoj, ‘meKryeministrin’, u hap. Grupin e ri e ka krijuar po Fitim Pacolli, vëllai i deputetes së VV’së. /gazetametro.net